U dha darka e dreka, tash merr tendera
Komuna e Vushtrrisë e udhëhequr nga Bajram Mulaku ka shpenzuar si ka dashur vetë paratë publike.Menaxhmeti i kësaj komune nuk ka kursyer paranë publikë, kur kanë qenë në pyetje udhëtimet zyrare, telefonat, drekat e darkat dhe derivatet.
Po ashtu udhëheqësit e kësaj komunë nuk i kanë lënë pa shfrytëzuar edhe njoftësitë dhe miqësitë e krijuara me liderët e Partisë Demokratike të Kosovës, parti nga e cila vjen edhe kryetari aktual i kësaj komune.
“Janë hasur edhe raste të ndërlidhjes së supozuar mes politikes komunale dhe biznesit vendor më qëllim të përfitimit. Kësisoj kompania “Toni Commerc” nga Vushtrria i ka hequr të gjitha shpenzimet e drekave dhe darkave gjatë ardhjes së kreut të PDK-së Hashim Thaçi në Vushtrri. Darkat apo drekat janë shtruar në restorant “Kalaja” ku kreu i PDK-së është takuar në fushatën e fundit zgjedhore me arsimtarët dhe stafin mjekësor të qytetit. Pas zgjedhjeve kompania“Toni” ka fituar të tenderin komunal për furnizim me naftë dhe derivate të naftës për shkollat e Vushtrrisë për vitin 2010 -2011”, ka treguar instituti GAP ne raportin për komunën e Vushtisë.
Tutje në këtë raport thuhet se Komuna Vushtrrisë e cila udhëhiqet nga PDK, rezulton me një shkallë të konsiderueshme të shpenzimit të buxhetit në kategorinë e udhëtimeve, mëditjeve, darkave dhe drekave, telefonave dhe shpenzimeve të tjera të përafërta.
“Për dreka dhe darka zyrtare komuna e Vushtrrisë gjatë 2011 ka shpenzuar afro 39.000 euro, karburant për vetura 67.347,54, për telefona mobil 23.197,10, për telefoni fikse 19.829, 67 euro, ndërsa për shpenzimet e udhëtimit gjatë 2011 komuna e Vushtrrisë ka shpenzuar 12.914 euro”, tregon raporti.
Po ashtu raporti specifikon gjetje të parregullsive në mënyrën e menaxhimit të pronave publike, formës së kontraktimit të punëve publike nga komuna e Vushtrrisë si dhe parregullsi janë hasur në procedurat e ndjekura në emërtimin e shkollave, rrugëve dhe vendbanimeve tjera më rendësi për qytetin.
“Kësisoj, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunë të Vushtrrisë, Sami Istrefi e ka marr nën menaxhimin e tij hapësirën të ura e gurit duke e futur nën menaxhimin e tij edhe pjesën me të madhe të urës së gurit. Ai në atë vend ka hapur një restorant dhe rrymën të cilën e shfrytëzon për restorant e ka lidhjen në sistemin e ndriçimit publik të qytetit, përkatësisht në palestrën sportive”.
Gjithnjë sipas raportit Kryetari i Komunës së Vushtrrisë i ka dhënë bankës private BKT-së (Banka Kombëtare Tregtare) një objekt komunal në shfrytëzim. Njëri nga përgjegjësit e kësaj banke në Vushtrri është djali i Kryetarit të komunës. Objekti me një madhësi të gjerë në qendër të qytetit i është dhënë për më pak se një mijë euro qira mujore, përderisa çmimi real në treg i qiramarrjes në atë zonë për një objekt të ngjashëm sillet nga 3 mijë deri ne 5 mijë euro në muaj, specifikon raporti, teksa përmend që në bibliotekën e shkollës “Ali Kelmendi” punojnë dy bibliotekist, kjo bibliotekë ka gjithsejtë 300 libra.
Ndërrimi i emrit të shkollës “Latif Berisha” në emrin Bahri Haxha (Vëllai i vrarë gjatë luftës i ish drejtorit ekzekutiv të PTK-së Shyqri Haxha) është bërë në kohën kur Komuna e Vushtrrisë akoma i ka 7 shkolla të paemërtuara.
Të paemërtuara janë, shkolla fillore në fshatin Lummadh, shkolla fillore në fshatin Mihaliq, shkolla fillore Nedakoc, shkolla fillore në Rreznik, 2 shkolla fillore në qytetin e Vushtrrisë. Në Vushtrri ka raste kur formalisht një shkollë mban një emër tjetër, ndërsa në praktik shkolla mban emër krejt tjetër. Kësisoj ngjet me shkollën e ndërtuar nga ana e Emirateve të Bashkuara Arabe e ndërtuar në fshatin Boberlluk e cila shkollë mban emrin “Sheik Muhamed Bin Rashid Al” ky emër i kësaj shkolle nuk është hequr asnjëherë nga mbishkrimi i shkollës, por diplomat e asaj shkolle si dhe dokumentacioni tjetër kanë nisur të lëshohen në emër të “Latif Berishes” emërtim ky i hequr nga shkolla e mesme profesionale në qendër të qytetit të Vushtrrisë.
Më tej raporti numëron edhe problemet kryesore me të cilat aktualisht përballen banorët e Vushtrrisë. Mungesa e ujit të pijes, mos menaxhimi i duhur i mbeturinave, fenomeni në rritje i mbindërtimeve në qytet, mungesa e parkingjeve, mungesa e përfshirjes së fshatrave në rrjetin e kanalizimit, ndotja e lumit Terstena dhe Sitnica, tjetërsimi i tokës së bukës dhe shndërrimi i saj në hapësira ndërtimi, llogariten si problemet me të mëdha lokale në komunën e Vushtrrisë. /Indeksonline/