Shoping në Shkup me veturat zyrtare
Gjetjet e raportit të Auditorit gjeneral dhe të raporteve të organizatave të ndryshme për shpenzime enorme vetëm për karburante, nuk i ka vetëdijesuar aspak zyrtarët qeveritarë. Vetura zyrtare e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal u pa këtë vikend në një nga qendrat tregtare të Shkupit. Zyrtarë të kësaj ministrie thonë se ministri ishte pjesëmarrës në një punëtori për pushtetin lokal në Strugë, që u mbajt të premten dhe të shtunën, mirëpo vetura e tij në qendrën tregtare në Shkup u pa pasditen e së dielës.
Opozita dhe shoqëria civile alarmojnë për numrin e madh të keqpërdorimit të veturave zyrtare dhe shpenzimeve enorme vetëm për karburante.
Zyrtarët qeveritarë nuk i preferojnë shumë qendrat tregtare në Kosovë dhe nuk hezitojnë që për blerje të ndryshme të kalojnë përtej kufijve të vendit për të bërë shoping.
Por, edhe në këso rastesh, ata nuk zhvishen nga petku zyrtar, apo i të qenit punonjës i institucioneve të Kosovës.
Një veturë zyrtare, me targat 3Z 005 14, e cila doli të jetë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, u pa vikendin e javës së kaluar në një nga qendrat tregtare në Shkup, raporton KTV.
Lumnije Demi, drejtoreshë e zyrës për informim në MAPL, thotë se ministri Petrovic ka qenë pjesëmarrës për dy ditë në një punëtori në Strugë për vlerësimin e procesit të reformës së pushtetit lokal.
Por, kjo konferencë kishte përfunduar punimet të shtunën rreth orës 14.00, derisa vetura e ministrit ishte parë në këtë qendër tregtare të Shkupit të dielën rreth orës 16.00.
Këtë e vërteton kjo fletëpagesë e parkingut. Nga kjo tejkalohet edhe 24-orëshi që sipas ligjit i lejohet ministrit përdorimi i veturës zyrtare, pas një aktiviteti zyrtar.
Për shoqërinë civile përdorimi i madh i veturave zyrtare për qëllime private apo partiake përbën shkelje të ligjit dhe, sipas tyre, për këto duhen të merren masa.
Nga ana tjetër, anëtarja e kryesisë së AAK-së, Melihate Tërmkolli, këto veprime të qeveritarëve i quan vazhdim i luksit, që sipas saj, kanë krijuar pushtetarët e vendit.
Auditori Gjeneral dhe OJQ të ndryshme deri tash në publikimet e raporteve të tyre kanë gjetur se shumica e institucioneve të Kosovës kanë keqpërdorur veturat zyrtare dhe kanë shpenzuar derivate pa kontroll.
Nuk kanë munguar rastet kur veturat zyrtare janë parë nëpër bregdete të ndryshme, në dasma, por edhe në aktivitete partiake.