Prokuroria hesht për vjedhjen e votave
Atë që e tha para disa ditësh në emisionin Rubikon të KTV-së, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi e përsëriti edhe në organin më të lartë legjislativ të vendit, në Kuvendin e Kosovës. Por, Prokuroria e shtetit dhe ajo Speciale nuk janë duke hetuar organizatorët apo financuesit e këtyre veprimeve kriminale.
“Institucionet kanë dalë nga zgjedhjet e vjedhura dhe si të tilla nuk e kanë legjitimitetin e plotë për të privatizuar pasuritë publike. Prandaj nuk e kanë as të drejtën për të privatizuar interesin më vital. Ne jemi të obliguar që qytetarëve tanë t’ua kthejmë besimin në institucione, për të cilat kanë sakrifikuar shumë dhe besimin në përfaqësimin tonë nëse nuk dëshirojmë të bëhemi vrasës të ardhmërisë dhe të demokracisë në Kosovë. Ne jemi të obliguar ta mbrojmë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në Republikën e Kosovës dhe rruga 100 vjeçare që kemi kaluar na obligon për një gjë të tillë”, tha sot kreu i legjislativit.
Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke u nisur nga fakti se Krasniqi mban post të lartë shtetëror, vlerëson se me akuzat e bëra në seancën e Kuvendit do të duhej të merreshin organet e drejtësisë, raporton KTV.
Sipas këtij instituti, Prokuroria e shtetit dhe ajo Speciale nuk janë duke hetuar organizatorët apo financuesit e këtyre krimeve. Përfaqësues të këtij instituti vlerësojnë se organet e hetuesisë janë duke dështuar të ndjekin zyrtarë të lartë të partive politike, të cilët deklarojnë apo akuzojnë për manipulim të votave.
Dilema kryesore në luftimin adekuat qëndron në faktin nëse përfitimi i postit të deputetit është apo nuk është dobi pasurore dhe financiare.