PDK në Ferizaj ia ‘rrëmben’ edhe një këshilltare LDK-së
Ende pa u bërë një javë, dega e PDK-së në Ferizaj ia ka rrëmbyer edhe një këshilltar komunal nga LDK-ja.
Mirlinda Bytyçi-Rexhepi, është prurja e radhës në degës e PDK-së.
Mirlinda Bytyçi- Rexhepi, ka qenë kryetare e Forumit të Gruas të LDK-së dhe kryesuese e grupit joformal te grave. E në letrën e saj drejtuar subjektit ku ka aderuar deri tashti, ajo ka përmendur disa nga shkaqet që e shtynë për ‘dezertim’.
“Dua t’u informojë se heqë dorë nga çdo funksion në LDK dhe i bashkohem, PDK-së dhe GP të PDK-së në kuvend, arsyeja ime është bllokimi i Degës nga ana e kryetarit të Degës së LDK-së në Ferizaj, Adem Salihajt, aty mbretëron një ngufatje dhe një injorim posaçërisht ndaj të rinjve, ndërkaq PDK-ja po u lë hapësirë më shumë të rinjve”, theksoi Bytyçi. Ajo iu drejtua edhe votuesve të saj duke i “siguruar” ata se “PDK-ja po i plotëson nevojat”.
Drejtues të PDK-së nuk kanë dashur t`i komentojnë akuzat e LDK-së se ky subjekt ‘po i josh me karamele kuadrot e LDK-së”.
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, sqaroi se nuk po marrin nga LDK-ja, por po e pasurojnë PDK-në.
”…Ata po e pasurojnë Degën e PDK-së, PDK-ja po dëshmon se është familje e madhe, PDK-ja do të përfshijë të gjitha vlerat që ngërthen Ferizaj”, ka thënë Reçica.
Nga ana tjetër, Faik Grainca, nënkryetar i Degës së LDK-së, tha se ata që po e braktisin LDK-në nuk bartin vlera në vete.
“Nuk është fjala këtu për asnjë lloj vlerash, por për shantazhime të pastra, në rastin e fundit e di mirë ish-këshilltarja e jonë se çfarë kushtëzimesh ka pasur në arsim dhe pastaj në gjykatë, në të dy rastet i është thënë ose eja në PDK ose nuk ka punë për ty”, pohoi Grainca. Po ashtu Grainca theksoi për gazetë se paralajmërimet e PDK-së janë të sakta, për kalime të reja.
”Janë edhe dy arkitektët e të gjithë këtyre kalimeve që po presin të dalin të fundit, jo qoftë udha e mbarë se po shkojnë drejt fikjes politike”, përfundoi Grainca pa i dhënë emrat e “arkitektëve” që po presin transferin.