Kalo te lënda

Fatmir Limajt mund t’i ngritët aktakuzë

Gjykata e Qarkut, përmes një vendimi, i ka mundësuar prokurorit special që ta marrë në pyetje deputetin Fatmir Limaj, duke hedhur kështu poshtë pretendimet e palës mbrojtëse. Burime të Expressit thonë se së shpejti do të ngrihet aktakuzë ndaj Limajt, nën dyshimet për korrupsion.

Deputeti Fatmir Limaj mund të merret në pyetje nga prokurori kurdo dhe sa herë të dojë.
Këtë ia ka bërë të mundur prokurorit, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, e cila ka hedhur poshtë ankesën e avokatit të Limajt, Tahir Rrecaj.
Ky i fundit është ankuar në Gjykatë duke pretenduar se prokurori i EULEX’it nuk mund ta marrë në pyetje ish-ministrin pas datës 23 prill 2012.
Në këtë datë, janë mbushur fiks 24 muaj që Limaj ishte zyrtarisht nën hetime si i dyshuar për krim të organizuar, pastrim parash në kohën sa ishte ministër i Transportit.
Këtë vendim të Gjykatës e ka konfirmuar për Express, të martën, Bardha Azari, nga Zyra për informim e EULEX’it.
“Gjykata e Qarkut e Prishtinës ka konfirmuar më 19 shtator 2012 se Limaj ishte i obliguar të paraqitej përpara prokurorit të Prokurorisë Speciale nga EULEX’i, i cili drejton hetimin kundër tij, sipas ligjeve kosovare”, tha Azari.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se në bazë të Nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, i dyshuari obligohet të paraqitet përpara prokurorit publik kur të ftohet. Po sipas këtij vendimi, i dyshuari mund të ankohet përpara gjykatësit të Procedurës për të vendosur në lidhje me ligjshmërinë e një ftese të këtillë nga prokurori.
Po ashtu, sipas Gjykatës, Prokuroria përkundër pohimeve të mbrojtjes, ishte e autorizuar të thërriste Fatmir Limajn për ta marrë në pyetje më 11 shtator 2012.
“I dyshuari obligohet që tash të paraqitet dhe nuk mund ta sfidojë ligjshmërinë me gjykatësin e Procedurës Paraprake më tej”, ka thënë Azari për Express.
Por edhe pse vendimi është marrë më 19 shtator, avokati i Limajt, Tahir Rrecaj thotë të mos e ketë marrë ende një vendim të tillë. Por ai mendon se Gjykata nuk ka pasur të drejtë kur e ka marrë këtë vendim.
“Neve nuk na mbetet asgjë tjetër vetëm të ankohemi në faza të tjera p.sh. të konfirmimit, nëse do të ketë aktakuzë”, tha Rrecaj për Express.
Burime të Expressit në EULEX bëjnë të ditur se prokurori së shpejti do të ngre aktakuzë ndaj Fatmir Limajt. Sipas këtyre burimeve, ka gjasa që aktakuza të ngrihet gjatë muajit tetor.
Ndryshe, prokurori i EULEX’it kishte ftuar Limajn për ta marrë në pyetje më 11 shtator, në lidhje me dyshime për vepra të reja penale që e ndërlidhnin atë, ish-ministri i Transportit dhe i Telekomunikacionit, Fatmir Limaj kishte refuzuar të përgjigjej.
Mbrojtja e kishte këshilluar se prokurori nuk kishte të drejtë ta merrte në pyetje pas datës 23 prill 2012, kur kishin kaluar 24 muaj që kur ai gjendej zyrtarisht nën hetime. Sipas mbrojtjes, Limaj është kërkuar të merret në pyetje edhe për tri vepra penale: shpërdorim i detyrës zyrtare ose autorizimit, lidhje e kontratës së dëmshme dhe mosdeklarim i parasë për fushatën zgjedhore. Mbrojtja thotë se kjo e fundit nuk rregullohet me Kodin Penal dhe as me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Hetimet zyrtare kundër Fatmir Limajt kanë filluar më 23 prill 2010. Ai dyshohet për veprat penale pastrim i parave, krim i organizuar, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, mashtrim në detyrë dhe marrje e ryshfetit.
Gjatë kësaj kohe, ish-ministri i Transportit është intervistuar katër herë.
Pas 23 prillit të këtij viti, prokurori Johanes Pickert kishte kërkuar nga Gjykata Supreme edhe gjashtë muaj hetime, por që një gjë të tillë e ka refuzuar kjo e fundit. Me vendimin e muajit mars për zgjerimin e hetimeve, prokurori i ka zgjeruar hetimet edhe ndaj dy vëllezërve të Fatmir Limajt, Demir dhe Florim Limaj si dhe ish-këshilltarit të tij, Endrit Shala.

Lini një koment