Kalo te lënda

Kosova i pajtoi Zogun dhe Hasan Prishtinën

Dokumente të reja të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë tregojnë se atdhetari Hasan Prishtina për hir të çështjes kombëtare është pajtuar me Mbretin Zog dhe e ka përgëzuar atë për shkëputjen nga Jugosllavia dhe aleancën me Italinë.

Ndryshe nga ajo që është dëgjuar deri më sot për konfliktet e përhershme mes Zogut dhe Prishtinës, ky dokument tregon se Mbreti Zog dhe atdhetari Hasan Prishtina janë pajtuar për hir të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe çështjes së Kosovës në veçanti.

Dokumenti që publikon gazeta “Lajm” e Maqedonisë është i datës 23 shkurt 1931 dhe është marrë nga Arkivi i Maqedonisë.

Historiani Skëndër Hasani, i cili edhe e ka gjetur këtë dokument gjatë hulumtimeve për veprimtarinë atdhetare të Hasan Prishtinës thotë se ky dokument që tregon pajtimin mes mbretit dhe Prishtinës është edhe një mesazh për politikanët e sotëm të cilët duhet të lënë mënjanë mosmarrëveshjet politike dhe të bashkohen për hir të çështjes shqiptare.

“Pajtimi mes Mbretit dhe Prishtinës është një mesazh edhe për politikanët e sotëm. Ata duhet të ndjekin rrugën e tyre dhe të bashkohen për hir të çështjes shqiptare, ashtu siç vepruan edhe atdhetarët tanë para shumë viteve”, thotë Hasani.

Duke iu referuar dokumentit ai sqaron se në fillim të viteve ’30-të u paraqit nevoja që të mobilizohej i gjithë potenciali në çlirimin e Kosovës, ndërsa ky unifikim u forcua pasi mbreti Zog u shkëput nga politika e Beogradit, i cili ishte kushti i vetëm i atdhetarëve të asaj kohe që ishin në konflikt me mbretin Zog.

Dokumenti paraqet dy telegrame të diplomatit italian Macoti, i cili ka qenë ndërmjetësues mes Mbretit Zog dhe atdhetarit Hasan Prishtina, kryetar i komitetit revolucionar të Kosovës.

“Hasan bej Prishtina më foli për argumentet që do të bisedojë me Ministrin e Oborrit Mbretëror të Shqipërisë. Se ka qenë kundër Zogut kur ky dukej një instrument i politikës Jugosllave, mirëpo ai e përuron Zogun prej ditës kur ai e drejtoi ndryshe politikën e Shqipërisë, duke arritur një aleancë ushtarake me Italinë dhe duke përjashtuar çdo lloj përzierje me Jugosllavinë….”, shkruhet ndër të tjera në këtë dokument.

Ndërkaq, në telegramin e parë flitet për ofertën e bashkëpunimit që i bën Mbreti Zog, kryetarit të Komitetit Nacional të Kosovës, Hasan Prishtinës, ku mbreti e ka pranuar prezencën e komitetit dhe ka treguar gatishmëri për të bërë diçka për kauzën e Kosovës.

Këto dokumente dhe një sërë dokumentesh të tjera që flasin për veprimtarinë atdhetare të Hasan Prishtinës do të promovohen të shtunën në Institutin për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë.

Është një grup autorësh që ka mbledhur dokumente prej rreth 250 faqeve nga arkivat e Shqipërisë, Maqedonisë Kosovës, etj, të cilat hedhin dritë mbi veprimtarinë e Hasan Prishtinës.

Lini një koment