Kalo te lënda

Kosova i ka vijat e kuqe për bisedimet me Serbinë

Kosova i ka vijat e kuqe në bisedimet e ardhshme politike me Serbinë, ka deklaruar sot presidentja Atifete Jahjaga.

Gjatë një konference për gazetarë, Jahjaga tha se çështjet e brendshme të Kosovës nuk do të diskutohen me asnjë shtet tjetër dhe aq më pak me Serbinë.
Në interesimin e gazetarëve se çka nënkupton për të si presidente e vendit deklarata e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme Catherie Ashton se Prishtina dhe Beogradi duhet të përgatiten për vendime të vështira, dhe nëse këto vendime kanë të bëjnë edhe me veriun e Kosovës, Jahjaga tha se nuk do të dëshironte t’i komentonte deklaratat e Ashtonit, por qëndrimi i Prishtinës zyrtare, sipas saj, është se nuk do të shkelen vijat e kuqe në këto bisedime, transmeton REL.
“Ekzistojnë disa vija apo linja të kuqe të përcaktuara nga qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës se asnjë çështje e brendshme e shtetit tonë nuk do të jetë temë e diskutimit me asnjë shtet tjetër e aq më pak me Serbinë”, deklaroi Jahjaga.
Presidentja ritheksoi qëndrimin e Kosovës se bisedimet dhe dialogu janë mënyra më e mirë e rregullimit të marrëdhënieve midis shteteve të rajonit, përfshi edhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Por, në këto bisedime, vijoi ajo, Kosova do të përfaqësohet vetëm si shtet dhe palë e barabartë në tavolinë dhe në asnjë formë tjetër.

Lini një koment