Kalo te lënda

Grabovci: Limaj s’ka qenë fare në mbledhje

(E plotësuar) Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka mohuar se deputeti nga radhët e PDK-së, Fatmir Limaj ka lëshuar mbledhjen e Grupit Parlamentar, duke e quajtur këtë një gënjeshtër të madhe. Grabovci në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se Limaj jo që e ka lëshuar mbledhjen e Grupit parlamentar të PDK-së, por në fakt ai së bashku me disa deputetë tjerë nuk kanë qenë fare të pranishëm për shkak të angazhimeve.

“Absolutisht është një gënjeshtër që Limaj ka lëshuar mbledhjen. Ai nuk ka marrë pjesë fare në mbledhje”, u shpreh Grabovci.
Sipas tij, në mbledhje është diskutuar për gjërat e rëndomta që diskutohen në Grupin parlamentar para çdo seance plenare.

Ndryshe, gjatë ditës mediat kanë raportuar se Limaj ka lëshuar mbledhjen e GP-së të PDK-së për shkak se është kundër idesë për bisedime politike me Serbinë pa u zhvilluar debat në Kuvendin e Kosovës dhe pa u arritur një platformë e unifikuar e të gjithë spektrit politik në Kosovë.

Limaj i pakënaqur, largohet nga mbledhja e GP të PDK-së

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj ka lëshuar të martën në mënyrë demonstrative mbledhjen e Grupit Parlamentar të PDK-së, e mbajtur në Kuvendin e Kosovës.

Burime të ORAinfo.com kanë thënë se Limaj nuk ka pritur të përfundoj mbledhja, duke u larguar pa dhënë ndonjë arsye, mirëpo, sipas këtyre burimeve, ai nuk është pajtuar me zhvillimet e fundit brenda PDK-së që ka të bëjnë me përgatitjet për Kuvendin Zgjedhor, pastaj ka kundërshtuar një pjesë të deputetëve se koalicioni qeverisës po funksionon mirë, si dhe ka qenë kundër procesit të bisedimeve politike të cilin e mbështetë kryeministri Thaçi dhe pjesa më e madhe e deputetëve të PDK-së.

Shefi i GP të PDK-së, Adem Grabovci nuk i është përgjigjur telefonatave për të sqaruar një gjë të tillë, ndërsa i pamundur ka qenë kontakti edhe me vetë Fatmir Limajn.

Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi kanë dalë hapur kundër idesë për bisedime politike me Serbinë pa u zhvilluar debat në Kuvendin e Kosovës dhe pa u arritur një platformë e unifikuar e të gjithë spektrit politik në Kosovë.

Po ashtu Limaj ka kërkuar që në Kuvendin Zgjedhor të PDK-së të shkohet një anëtar një votë, gjë që është kundërshtuar nga pjesa më e madhe e kryesisë së kësaj partie.

Lini një koment