Tragjedia e Admirit, vdes në qytetin arbëresh pasi kërkoi ndihmë
Ishte emigrant shqiptar që jetonte prej vitesh në Itali, por ka humbur jetën brenda makinës së tij. Dhe tragjedia për shqiptarin, ka ndodhur në zonën Spezzano Albanese, njohur si qytet arbëresh, ku 36 vjeçari Admir Dejeli, një i ri i cili punonte në ferma të këtij lokaliteti, u gjet i pajetë.
Policia bëri të ditur se të premten kur Admiri u zhduk, për herë të fundit pati një kontakt me policinë. Admiri ka kerkuar ndihmë duke thënë këto fjalë: “Ndihmë, kam rënë me makinë, më ndihmoni…”.
Policia italiane tha se ishin disa pjesëtarë të forcave speciale të ekipeve të shpëtimit, kishin nisur menjëherë kërkimet për ta gjetur Admirin pas dyshimeve për zhdukje dhe nevojës së mundshme për ndihmë.
Një rreze 80 km kontrolli rezultoi fillimisht pa sukses derisa sot u bë gjetja e tij, por ishte vonë. Familja u njoftua se i riu kishte ndërruar jetë.