“PIMP my Ride” Qeveria!
Qeveria e Kosovës në fillim të vitit të kaluar kishte marrë vendim që veturat zyrtare të dallohen nga ato të qytetarëve, gjë shumë e logjikshme, duke vendosur në targa inicialet 3Z dhe 2Z.
Vetura me targa të tilla hasim çdo ditë dhe çdo kund, ditën e natën, verë e dimër. Ato mund t’i gjeni të parkuara para institucioneve qeveritare, në parkingje publike, private, në vende turistike dhe shpesh para restoranteve e kafeterive luksoze.
Veturat e institucioneve janë të tipeve të ndryshe, Mercedes ka shumë pak, sepse kompania gjermane ka marrë vendim vitin e kaluar që mos t’i shesë Qeverisë së Kosovës modelet e gjigantit bavarez, me arsyetimin se “ka korrupsion në tenderët e shpallur për blerjen e tyre”.
Meçe Mercedesët mungojnë, kemi shumë modele të Audisë, VW-së, aty këtu ndonjë veturë franceze, italiane, por shumë pak aziatike, megjithatë hasim edhe në to.
Veturat zyrtare duhet të jenë elegante, të pastruara, të zeza në të shumtën e rasteve, të blinduara deri diku, por jo të duken sportive.
Mirëpo, në një fotografi të publikuar nga Facebook nga Dardan Sejdiu, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, shihet e parkuar një veturë japoneze e markës Suzuki. Asgjë të keqe nëse është Suzuki, mirëpo kjo veturë me targa: 3Z-001-09, ka diçka më ndryshe. Ajo duket sportive dhe e “gatshme për garat në Veternik”!
Me fellga dhe tymtar karakteristik sportiv, qëndron e parkuar afër rrethojave të Universitetit të Prishtinës dhe në pamje të parë të krijon përshtypjen sikur është punuar nga mekanikët e njohur të emisionit “PIMP my Ride” të XZibitit.