Për gjashtë muaj hetohen 141 policë
Inspektorati Policor i Kosovës thotë se në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë hapur 141 raste ndaj policëve të vendit. Shefit i hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës, Jetullah Aliu, thotë se në periudhën janar-qershor të këtij viti janë 141 raste të pranuara në këtë institucion që merret me mbikëqyrjen e policisë.
“Prej tyre 47 kanë rezultuar me kallëzim penal, ndërsa 33 janë duke u punuar”, tha Aliu. Kur policët suspendohen, ata të paktën për një periudhë gjashtëmujore vazhdojnë të marrin pagë mesatarja e të cilave sillet në 350 euro. Kur kjo shifër shumëzohet me numrin e policëve të përballur me hetime, del se shteti mund të paguajë rreth 50 mijë euro paga ndonëse zyrtarët policorë nuk mund të punojnë për shkak të suspendimeve etj.
Aliu thotë se inspektorati ka kërkuar nga prokuroria dhe gjykata që këtyre lëndëve tu jepet prioritet në zgjidhje. “Është shumë me rëndësi që procedura ndaj këtyre policëve të
përshpejtohet në prokurori dhe gjykatë në mënyrë që të mos dëmtohet buxheti i Kosovës”, tha ai. Policia e Kosovës nuk ka të drejtë ligjore tua ndalojë pagat policëve të cilët dyshohen për vepra penale, deri në momentin kur gjykata e thotë fjalën përfundimtare.
Zihen duke marrë mito
E kishin lënë të takoheshin te një urë. Policët ia bënë me drita. Ata ia kthyen disa dokumente të veturës që ia kishin marrë gjatë ditës në këmbim të 100 eurove. Të tjerat do t’ia kthenin kur të sillte më shumë para. Qytetari që kishin ndaluar më herët nuk kishte regjistrim dhe, thotë ai, policët ia kishin gjetur disa gramë droge.
Një xhirim i Gazetës Jeta në Kosovë ka zënë dy policët e trafikut Hidajet Krasniqi e Veton Gashi të rajonit të Prishtinës duke marrë mito nga një qytetar i cili këtë rast nuk kishte guxim ta raportojë në polici. Ngjarja ka ndodhur më 18 qershor të këtij viti. Rreth orës 15 e 30 policët e kishin ndaluar këtë qytetar të ardhur nga diaspora, nga një shtet skandinav.
Qytetari rrëfen se si dy policët i kanë kërkuar 300 euro mito në këmbim të lirmit nga dënimi. Sipas qytetarit, ai ishte ndaluar në dalje të Fushë Kosovë, në drejtim të Pejës, për shkak se kishte tejkaluar shpejtësinë. Mirëpo, thotë ai, pas një kontrolli, zyrtarët policorë i kishin gjetur atij edhe një sasi të vogël disa gramësh droge në automjetin e tij dhe mungesë siguracioni të veturës.
Sipas këtij qytetari, dy policët, për t’i mbyllur sytë para kësaj shkelje, i kishin kërkuar atij 300 euro mito. Pasi që ai nuk kishte para me vete, ata i kishin kërkuar që të shkonte në shtëpi për t’i marrë. Gjithnjë sipas qytetarit, policët, për t’i siguruar paratë, ia kishin konfiskuar të gjitha dokumentet kthimin e të cilave e kishin kushtëzuar me pagesën e parave.
“Për këta policë tashmë është dorëzuar një kallëzim penal në prokurori dhe të njëjtit do qëndrojnë të suspenduar deri në momentin kur për ta të nxirret një vendim nga ana e gjykatës” Jetullah Aliu. “Më kanë thënë që nëse do të shpëtosh prej kësaj situate duhesh të na sjellësh 300 euro”, rrëfen qytetari. Ai ishte kthyer për t’ua dorëzuar policëve 100 euro pasi tha se 200 të tjera nuk kishte mundur t’i sigurojë.
kesi policesh ka ky pushtet ,sepse edhe ata jané te mituar,te korruptuar,,dikur per raste te tilla pa provedur gjygjesore jané larguar si te pa pershtatshem per sherbim dhe kurr me si kané kthyer. ky eshte turpi i ministrit dhe udhéheqsave te njisive…eh more ish koleg ti bile i diné me se miri keto puné,andaj policet e tillé asesi sduhet te kthen ne detyré
PëlqejeniPëlqejeni