Limaj me shokë shumë!
Shtohen zërat në Partinë Demokratike të Kosovës që dëshirojnë që në këtë parti të bëhen reforma dhe të mos shkohet ashtu siç ka shkuar deri më tani. Për këtë ide nuk është i vetëm nënkryetari i parë i PDK-së, Fatmir Limaj. Atij i janë bashkuar edhe krerët tjerë të PDK-së, si nënkryetari, Bajram Rexhepi, sekretari i përgjithshëm Jakup Krasniqi dhe anëtari i kryesisë, Xhavit Haliti. Kurse, analistët kritikojnë PDK-në, e cila është partia më e madhe dhe nuk respekton normat demokratike.
Pas kërkesës së nënkryetarit të PDK-së, Fatmir Limaj, që zgjedhjet në PDK të zhvillohen në frymën “një anëtar një votë”, mbështetje të fuqishme kësaj ideje i ka dhënë edhe sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, i cili ka paralajmëruar se nëse nuk do të zhvillohet një proces zgjedhor demokratik, ai edhe do ta shqyrtojë mundësinë e largimit të tij nga PDK.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë se për PDK-në reformat duhet të jenë permanente, që nënkupton analizat në parti dhe funksionimi i organeve të partisë.
“Për mua reformat duhet të jenë permanente. Reforma nuk është një çelës, që mund të ma hedh dikush nga sipër ose nga anash. Reformë do të thotë, në qoftë se ka analiza në parti, në qoftë se funksionojnë strukturat e partisë, degët, nëndegët organet e tjera qendrore, atëherë të bëhen analizat dhe të shohim se çfarë nuk po shkon. Çështjet që janë pengesë për zhvillim, çështje të cilat janë kaluar, nuk janë të kohës, ne duhet t’i sanojmë, t’i eliminojmë dhe kjo është pjesë e reformës”, ka deklaruar Haliti për Kosovapress.
Ai ka shtuar se në qoftë se PDK dëshiron t’i nënshtrohet një procesi të profilizimit dhe të integrimit të partisë në internacionale, qoftë të djathtë apo të majtë, atëherë duhet t’i nënshtrohet rregullave që kanë ata dhe t’i nënshtrohet një monitorimi permanent.
Po ashtu, Haliti ka thënë se, në qoftë se PDK thotë se është parti evropiane, duhet të organizohet në mënyrat se si janë të organizuara partitë evropiane.
Në lidhje me atë që shpesh kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe nënkryetari Fatmir Limaj, nuk janë pajtuar me kryeministrin dhe kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, Haliti i sheh këto reagime normale në një vend demokratik. Ai thotë të mos ketë parë ndonjë situatë, e cila ka ndikuar që të krijohet fushatë brenda partiake të blloqeve të ndryshme. Por, sipas tij, mendimet dhe mospajtimet për çështje të caktuara, që janë shprehur publikisht, janë kapërcyer prapë pa pas nevojë për shkarkime, apo ndryshime tjera.
Edhe nënkryetari i PDK-së, Bajram Rexhepi mendon që aktiviteti brenda PDK-së ka mbetur prapa dhe për këtë duhet një reformim i kësaj partie.
“Realisht unë jam njeri nga katër nënkryetarët e partisë, reformat janë të domosdoshme, jo vetëm në PDK, por në çdo parti… Duhet të mbahen dhe zgjedhjet brenda partisë dhe në kudër të zgjedhjeve mendojmë edhe një farë reforme brenda partisë dhe në kuadër të zgjedhjeve, mendojmë edhe një lloj reformimi, të jemi të hapur, për gjenerata e reja”, ka deklaruar Rexhepi.
Mirëpo, ai nuk pret që mendimet e kundërta ose debatet, të rrezikojnë me një fraksion ose përçarje të partisë.
Ndërkohë deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami nuk ka dashur të komentojë rreth mbajtjes së zgjedhjeve në parti.
“Për këtë duhet të pyetet kryetari i partisë, Hashim Thaçi dhe sekretari i përgjithshëm, Jakup Krasniqi”,ka deklaruar deputeti Bajrami.
Ndryshe gjatë javëve të fundit, figurat më të rëndësishme në Partinë Demokratike të Kosovës kanë kërkuar që PDK-ja t’i nënshtrohet reformës, në mënyrë që të ndërpritet tradita e deritanishme. /Telegrafi./