Kërkojnë shkarkimin e presidentes Jahjaga
Në anketën e zhvilluar nga portali standardi.info, me temën: “A do të shkarkohet presidentja Jahjaga”, nga posti i të pares së shtetit, rreth 89 përqind e respodentëve ishin pro shkarkimit të presidentes Atifete Jahjaga, për shkak të përplasjeve të vazhdueshme mes partnerëve të marrëveshjes.
Në këtë votim morën pjesë 980 votues, prej të cilëve 879 ose rreth 89 përqind e respodentëve votuan për shkarkimin e presidentes, 35 votues ose rreth 4 përqind ishin shprehur pozitivisht për vazhdimin e mbajtjes se postit, ndërsa 66 veta ose 7 përqind e respodentëve janë shprehur të pavendosur për këtë problem.
Marrëveshja për presidenten ishte kurorëzuar pas ujdisë së arritur nga PDK, LDK dhe AKR, (prill 2011) të cilat ishin pajtuar që nënkolonelja Atifete Jahjaga, të zgjidhet presidente e Republikës së Kosovës.
Kjo ishte një nga pikat e marrëveshjes ndërmjet ish-presidentit Behgjet Pacolli (lider i AKR), kryeministrit Hashim Thaçi (PDK) dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafa, e cila ishte arritur falë ndihmës se ish ambasadorit amerikan, Christopher Dell.
Marrëveshja PDK-LDK-AKR për presidenten:
1. Nominojmë Atifete Jahjagën, si kandidate tonë për Presidente të Kosovës dhe shprehim përkrahjen e plotë të partive tona respektive për kandidaturën e saj. Jemi të përkushtuar ta vejmë interesin e vendit mbi atë tonin.
2. Ne pajtohemi që menjëherë të formojmë një komision për reformën e zgjedhjeve presidenciale që do të hartojë amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe çfarëdo legjislacioni të ndërlidhur të nevojshëm për të amandamentuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në mënyrë që presidenti të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli.
Komisioni do të synojë të përfundojë punën e vet brenda 6 deri në 9 muaj nga data e themelimit të tij. Një anëtar i Kuvendit i identifikuar nga koalicioni qeverisës do të udhëheqë komisionin e themeluar për këtë qëllim.
Ne pajtohemi që zgjedhjet e para presidenciale në Republikën e Kosovës do të mbahen jo më vonë se 6 muaj nga data në të cilën ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe legjislative hyjnë në fuqi.
3. Ne pajtohemi që menjëherë të formojmë një komision për reformën e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, i cili mes dispozitave tjera do të përkrahë krijimin e më shumë distrikteve zgjedhore në Kosovë dhe do të hartojë ndryshimet e nevojshme legjislative dhe kushtetuese për të arritur këtë qëllim. Komisioni do të synojë të përfundojë punën brenda 8 deri në 12 muaj nga data e themelimit të tij. Një anëtar i kuvendit i identifikuar nga partitë opozitare do të udhëheqë komisionin e themeluar për këtë qëllim.
4. Ne pajtohemi se Ligji i reformuar për zgjedhje të përgjithshme do të përfshijë një dispozitë që thotë se zgjedhjet e para të përgjithshme, sipas ligjit të amandamentuar do të mbahen jo më vonë se 18 muaj nga data në të cilën ligji i reformuar për zgjedhjet e përgjithshme dhe amandamentet e ndërlidhura kushtetuese hyjnë në fuqi.
5. Ne po ashtu pajtohemi se si pjesë e kësaj marrëveshjeje do të paraqesim ndryshimet e përmendura në paragrafët 2, 3, 4 në mbledhjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën zgjidhet presidenti i Kosovës./standardi.info