Berisha: Edi Rama të heqë dorë nga mania e pazareve. Fëmijëve do u them prapë se ai bllokon integrimin
Kryeministri vlerësoi marrëveshjen për gazsjellësin TAP dhe shitjen e Albpetrolit. Ai deklaroi se paratë e kësaj shitje nuk do përdoren në zgjedhje. Ai theksoi se opozita po kërkon seancë dëgjimore për kreun e KQZ, por nuk pranoi seanca dëgjimore për anëtarët
Kryeministri Sali Berisha e nisi mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike duke folur për memorandumin e nënshkruar në Nju Jork për ndërtimin e gazsjellësit TransAdriatik.
“Ky memorandum mirëkuptimi përfaqëson aktin më të rëndësishëm që ka nënshkruar Shqipëria në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe të energjisë. Impakti është më i madh se i çdo projekti tjetër për zhvillimin e këtij vendi.
Gazsjellësi TAP, që kalon me 140 kilometra në territorin shqiptar, bën një transformim rrënjësor energjetik dhe ekonomik të vendit. Në këtë projekt, i cili sjell një investim prej 2 miliard euro, Shqipëria ka një pozicion shumë të leverdishëm. Shqipëria bëhet një nyje shumë e rëndësishme e transportit të gazit drejt Italisë, por edhe drejt veriut të Ballkanit.
Ky projekt i bën të mundur qeverisë shqiptare që mandatin që vjen të parashikojë gazifikimin e vendit, shtrirjen e tubacioneve të gazit për ngrohje e gatim në të gjithë territorin e Shqipërisë,” tha Berisha.
“Firmosja e këtij memorandumi përbën një mbështetje të fuqishme për konsorciumin, pasi ky është gazsjellësi më i shkurtër dhe më i leverdishëm nga ana ekonomike”.
Po ashtu Berisha vlerësoi kompaninë e shpallur fituese për tenderin e Albpetrolit.
“Mediat botërore kanë shpallur lajmin e dytë të rëndësishëm: shpalljen e fituesit për privatizimin e Albpetrolit.
Me këtë rast dua të përgëzoj kompaninë e shpallur fituese, që plotësoi me seriozitetin më të madh dhe transparencë të plotë, kërkesat e paraqitura nga ekipi i vlerësimit të ofertave dhe kompania konsulente,” tha Berisha.
Ai komentoi edhe raportimet e mediave se paratë e privatizimit të Albpetrol do përdoren për zgjedhje.
“Dua të theksoj edhe njëherë se disa qëndrime, të shfaqura gjatë ditëve, disa shpifje e trillime nga opozita dhe media që kontrollon ajo, kanë qenë të motivuara nga ligësia njerëzore, nga keqdashja e plotë, nga smira.
Unë dua të informoj shqiptarët se ky proces ka nisur tre vjet më parë. Ky proces nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet. Është neveritëse të shohësh tituj meskinë të dalë nga makina e shpifjeve të PS. Ai ka nisur tre vjet më parë dhe natyrisht do kalonte përmes të gjitha proceseve dhe etapave të domosdoshme. Ndaj nuk ka edhe asnjë arsye tjetër përveç vendosmërisë së kësaj qeverie për të vazhduar privatizimet si kushti më themelor për përmirësimin e performancës së tyre,” tha Berisha.
Berisha përsëriti se opozita po vepron si në komunizëm, duke kundërshtuar koncesionet.
“Edhe njëherë duhet të sqaroj qytetarët se dhënia e pasurive me koncesion është në interesin jetik të qytetarëve.
Shqipëria presupozohet të jetë një vend i rëndësishëm për prodhimin e naftë dhe gazit në rajon. Ky besim nuk është më empirik, por bazohet në të dhëna nga më të shumëllojshmet,” tha Berisha.
Kryeministri më pas foli për çështjen e votimit të ligjit për Gjykatën e Lartë dhe kushtëzimin që i ka bërë opozita me njohjen e vendimeve të gjykatave për Qarkun e Fierit. Berisha tha se nuk bëhen pazare për vendime gjykatash. Ai shtoi se do u thotë sërish fëmijëve se opozita po bllokon integrimin.
“Zoti Edi Rama, ka dy javë, që i nxjerr deputetët nga komisionet dhe lënë karriget bosh. Dhe ankohet se unë i them nxënësve të shkollave të ngulin sytë tek ato karrige. Por ti tek ato karrige po shkatërron ëndrrën më të bukur e hyjnore të tyre. Pse, po u them një gjë që nuk është? Po bëj propagandë? Jo, po u them një të vërtetë të hidhur. Dhe çfarë kërkon? Kërkon pazar politik për vendime gjykatash. Gjëja më absurde,” tha Berisha.
Kryeministri komentoi edhe çështjen e zgjedhjes së kryetarit të KQZ. Ai tha se opozita nuk pranoi seanca dëgjimore për anëtarët, por tani kërkon seanca dëgjimore për kryetarin. Megjithatë Berisha pranoi se opozita ka të drejtë të kërkojë seanca dëgjimore.
“Parlamenti ka dëgjuar seanca dëgjimi nga më të bukurat, prapë le të organizojë. Edi Rama ka zëvendësuar çdo sens ligjor me pazare. I bëj thirrje të heqë dorë nga mania e pazareve. Politika është arti i pranimeve, i vështirësive, i kompromiseve.”