Arrestohet i shumëkërkuari Gjergj Tusha (VIDEO)
Policia e Shtetit bëri me dije se ka arrestuar të shumëkërkuarin Gjergj Tushe, që akuzohet për një plagosje të trefishtë, ndërkohë që kërkohet edhe nga ana e drejtësisë italiane. Tushe është arrestuar në zonën e ish-bllokut në Tiranë, ndërsa në pranga ka përfunduar edhe një punonjës policie, që e kishte ndihmuar atë për t’i shpëtuar arrestimit të policisë.
“Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacioni policor “Konfirmimi i rremë” për kapjen dhe arrestimin e shtetasve:
-Aleksandër Nikollë Kolmarku, 53 vjeç, me detyrë oficer i policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Lezhë.
-Gjergj Nikola Tushaj, alias Gjokë Ndue Tushaj, vjeç 48, banues në Tiranë.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë i mundur në sajë të një hetimi intensiv disa mujor të kryer nga Sektori Kundër Korrupsionit në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me njësinë Task Forcë, në kuadër të zbatimit të një letërporosie të autoriteteve policore italiane për shtetasin Gjergj Nikola Tushaj, (alias Gjokë Ndue Tushaj), i akuzuar nga autoritetet italiane për veprat penale rrëmbim personi, shfrytëzim prostitucioni dhe marrëdhënie seksuale me dhunë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi Aleksandër Kolmarku, përmes shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve, ka ndihmuar shtetasin Gjergj Tushaj (alias Gjokë Tushaj) që t`i shmanget përballjes me autoritetet italiane të drejtësisë”, thuhet në një deklaratë të policisë.
Tusha është personi i kërkuar në Shqipëri për një ngjarje të ndodhur dy vjet më parë në Durrës, për plagosje të trefishtë, mes të cilëve ka mbetur i dëmtuar rëndë edhe shtetasi azerbajxhanas Turall Maturov, si dhe Leonard Laska dhe Abdulla Osmani. Ai është në kërkim dhe nga drejtësia italiane për çështje droge.