Kalo te lënda

1.77 miliardë euro kredi

Qytetarët e Kosovës janë “mbytur” në kredi.  Edhe pse kamatat vazhdojnë të jenë mjaft te larat, ata nuk hezitojnë të marrin kredi nga bankat që veprojnë në vendin tonë. Deri në qershor të vitit 2012, vlera e kredive të marra nga qytetarët  ka shkuar në 1.77 miliardë euro.  Kjo shifër është rritur për 9.3 për qind nga viti i kaluar.
Sipas Bankës Qendrorë të Kosovës (BQK) kreditë vazhdojnë të merren më se shumti nga bizneset dhe familjet kosovare.  Madje, sipas BQK-së kreditë që kishin për destinim ekonomitë familjare  shënuan rritje më të shpejtë gjatë pjesës së parë të vitit 2012 krahasuar me kreditë e  destinuara për ndërmarrjet. Përderisa rritja vjetore e kredive ndaj ekonomive familjare ishte 13.0 për qind kreditë për ndërmarrjet gjatë kësaj periudhe shënuan rritje vjetore prej  7.3 për qind.

“Në qershor 2012, vlera e gjithsej kredive të sektorit bankar arriti në 1.77 miliardë euro që  paraqet një rritje vjetore prej 9.3 për qind, krahasuar me normën prej 15.7 për qind të  regjistruar në gjysmën e parë të vitit 2011.  Kreditë për ndërmarrjet vazhdojnë të  përfaqësojnë pjesën më të madhe të kredive të lëshuara nga sistemi bankar, me  pjesëmarrje prej 68.9 për qind, ndërsa pjesa prej 30.7 për qind përfaqësohet nga kreditë e  lëshuara për ekonomitë familjare”, ka vlerësuar BQK-ja në raport.

Më tutje BQK-ja ka treguar se në qershor të vitit  2012, struktura e kredive sipas afatit të maturimit është dominuar nga kreditë me afat mbi 2 vite, të cilat përfaqësuan 69.5 për qind të gjithsej kredive. Kreditë me  afat maturimi më të ulët se 1 vit, në qershor 2012 kishin pjesëmarrje prej 23.2 për qind.  Ndërsa, pjesëmarrja e kredive me maturitet mes 1 dhe 2 vite ishte 7.3 për qind.

Por, përveç kredive që janë rritur, gjatë  njëjtës kohë është rritur edhe vlera e aseteve të bankave në Kosovë.  Sipas BQK-së vlera e aseteve të sistemit bankar të Kosovës në qershor 2012 arriti në 2.65 miliardë euro dhe shënoi rritje vjetore prej 6.0 për qind.

Kurse, sistemi bankar i Kosovës vazhdon të përbëhet  nga gjashtë banka me pronësi të huaj, si dhe dy banka me pronësi vendore. /Indeksonline/.

 

Lini një koment