Kalo te lënda

PDK bën ‘rrush e kumbulla’ paranë publike

Vetëvendosje thotë se ne Malishevë kompanitë përkrahëse të PDK-së fitojnë mbi 10 milionë euro në tenderë publikë.

Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se komuna e Malishevës që nga viti 2008 ka dhënë mbi 10 milionë euro për kompanitë që kanë mbështetur fushatën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kompanitë e lidhura me zyrtarët komunalë.
Ky subjekt politik opoiztar njoftoi të dielën se nga viti 2008 deri më 2011 Komuna e Malishevës ka dhënë tenderë në vlerë 13,383,251 euro.
Por, sipas saj, kompanitë që më së shumti kanë përfituar nga kjo janë njëherazi dhe kompanitë financuese të të fushatës së PDK-së dhe kompanitë private nga radhët e zyrtarëve komunalë nga radhët e PDK-së në pushtet.
“Ato nga viti 2008 deri sot kanë fituar tenderë në vlerë 10.539.592 euro”, tha Vetëvendosje, e cila paralajmëroi se materiali i gjetjeve të saj që tregon këto lidhje do t’i përcillet edhe Prokurorisë dhe Agjencionit Kundër-Korrupsion (AKK).
Po ashtu, subjekti thotë se ka vërejtur që shumë nga këto kompani i shkelin edhe kontratat duke angazhuar “nënkontraktorë të jashtëligjshëm për kryerjen e punimeve dhe kanë vonesa në përfundimin e punimeve”.
“Të gjitha këto informacione të përmbledhura tregojnë se keqqeverisja e Partisë Demokratike po vazhdon dhe askush s’po e ndëshkon”, tha Vetëvendosje./standardi.info

Lini një koment