Kalo te lënda

Java ‘tironse’ e përjetuar nga Bleona Qereti

E marta që lamë pas shënoi ndalesën e fundit në trevat shqiptare, të turit që këngëtarja Bleona Qereti po mban për promovimin e albumit të saj të parë në gjuhën angleze.

Përmes një show gjigant ngjyrash, këngëtarja seksi tregoi edhe një herë se ajo nuk gënjen në ato çfarë thotë. Për të gjithë skeptikët, Bleona ia doli të sillte në Tiranë grupin me famë ndërkombëtare ‘Gipsy King’, si dhe bashkë me ta edhe Dj zyrtarë të Timbaland, Dj Freestyle-Steve dhe Brasco-n, që është reperi kryesor në albumin e Justin Timberlake.
Koncerti
Koncerti nisi në orën 20:00 të mbrëmjes së të martës dhe që në fillim të tij me mijëra njerëz ishin mbledhur rreth e qark skenës për të parë e dëgjuar, atë që nga të gjithë konsiderohej si ylli i mbrëmjes… Bleona u prit nga më shumë se 5000 vetë në shesh, të cilët brohorisnin pa pushim pas çdo kënge të saj. Në setin e parë të këngëve ajo performoi disa nga krijimet e reja, që janë pjesë e albumit të saj në anglisht, të cilat u pritën shumë mirë nga publiku i pranishëm. Pas këngë-tares Qereti, doli në skenë Brasco, Dj Freestyle dhe në fund si për ta mbyllur, pas këngëve në gjuhën shqipe të Bleonës, dolën mbi skenë ‘Gipsy King’, të cilët e ngritën peshë publikun në sheshin ‘Nënë Tereza’. Ndalesa e radhës në turin e saj është Gjermania, ku këtë të shtunë do të performoië në Dusseldorf për të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm. Gani Bardha
Një nga mysafirët specialë në këtë koncert ishte edhe bashkëshorti i Bleonës, Gani Bardha, i cili kish ardhur enkas nga Amerika për këtë ngjarje, si për të treguar se mes tyre gjithçka shkon shumë mirë dhe se thashethemet për ndarjen nuk janë të vërteta. Madje, Bleona në fund të koncertit (ora 00:30) i dedikoi edhe një këngë Ganiut, ‘Because You Loved Me’.
Preston Haskell
Një tjetër i ftuar në koncert ishte edhe multimiliarderi amerikan, Preston Haskell, i cili e ka pasur Bleonën të ftuar speciale në festën madhështore që organizoi në rezidencën e tij me rastin e festave të fundvitit. Preston dukej entuziast për atë çfarë Bleona po bënte dhe mes tyre vihej re qartë një miqësi e mirë.
Përplasja me Jorgo Kaçanin
E megjithatë, pavarësisht se gjithçka (veç videos dhe disa incidenteve të parëndësishme) në këtë tur Bleonës i shkoi ashtu siç ajo donte (mblodhi me mijëra njerëz në çdo shesh ku këndoi), diçka çaloi në organizimin e Tiranës. Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgo Kaçani, ndaloi vendosjen e posterit madhështor (10 mijë metra), pavarësisht faktit që Bleona kishte një leje nga Bashkia e Tiranës për këtë, kreun e së cilës e falenderoi në koncert së bashku me kryeministrin e vendit. Kjo gjë, e mërziti pak këngëtaren, megjithatë u pa që edhe pa posterin në ballinën e Universitetit Politeknik, koncerti shkoi shumë mirë. Siç mësohet, Bleona do të vijë sërish në Tiranë më 28 Nëntor, me rastin e organizimeve festive që do të mbahen atë ditë.

Lini një koment