10 mijë euro shpërblim për vëllain e Hashim Thaçit
Një shpërblim në vlerë prej 10 mijë eurosh i është dhënë Gani Thaçit, vëllait të madh të Kryeministrit Hashim Thaçi, me arsyetimin se ka kryer suksesshëm një aksion të parandalimit të mashtrimeve në industrinë e sigurimeve.
Këshilli Administrativ i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), që përbehet nga përfaqësues të kompanive private të sigurimeve, ka vendosur t’i japë shpërblim për punë shtesë zëvendësdrejtorit të BKS-së edhe përkundër pagës së tij mujore prej rreth 3 mijë e 500 eurosh, shkruan “JNK”.
Ky organ i kishte dhënë një detyrë të veçantë të zbatimit të ligjit njeriut që dikur ishte paguar për shërbime ndërmjetësimi për një kompani të huaj që bënte biznes në Kosovë.
“Z.Gani Thaçi i cili ka qenë i angazhuar për monitorimin e pikave kufitare me qëllim të parandalimit të mashtrimit dhe keqpërdorimit eventual të policave të Sigurimit Kufitar, t’i jepet shpërblim shuma prej 10 mijë euro bruto”, thuhet në vendimin e lëshuar nga Këshilli Administrativ i Byrosë më 21 shtator të këtij viti.
Fatmir Gashi, nënkryetar i këshillit, thotë se e nënshkroi vendimin pasi që Thaçi kishte kryer një punë të mirë. “Nëse nuk gabohem, në një mbledhje të Këshillit para dy-tre muajve kemi marrë vendim që të mbikëqyret puna e pikave shtesë nëpër kufi dhe është autorizuar z.Thaçi. Drejtori Menaxhues i BKS-së ka raportuar se është kryer një punë shumë e mirë dhe me sukses pastaj është propozuar shuma dhe është votuar për të. Vendimi është marrë me shumicë votash”, tha Gashi, nënkryetar i këtij Këshilli.
Gashi ka deklaruar se vendimi për të autorizuar Thaçin për kryerjen e kësaj pune është marrë para dy tre muajve.