Kosova e Shqipëria të jenë në funksion të faktorizimit të kombit
Shqiptarët jashtë trojeve shqiptare nuk duhet konsideruar si pakica kombëtare, por si pjesë vitale e kombit shqiptar, ndërsa Kosova e Shqipëria duhet të jenë në funksion të faktorizimit të kombit ku do që ai ndodhet – ka deklaruar lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.
Ai ka thënë në Shkup se Kosova e Shqipëria u kanë borxh shqiptareve jashtë trojeve të tyre e në veçanti shqiptarëve të Maqedonisë, andaj për padrejtësitë që u bëhen atyre ata të ankohen edhe në Prishtinë e Tiranë.
“Ne si Lëvizje ‘Vetëvendosje’ jemi të interesuar që shqiptarët kudo që janë për të drejtat që u shkelen, për shtypjen politike që e përjetojnë, për shfrytëzimin ekonomik që po ashtu e përjetojnë t’ju ndihmojmë dhe t’i mbështesim maksimalisht por duhet të kemi parasysh se në politikë zëri autentik është i pazëvendësueshëm, nuk mund të ketë zëvendësim për zërin që vjen prej vet vendit ku shtypet ai zë”, ka theksuar Kurti, ndërsa transmeton Alsat-M.
Defekti kryesor në këtë drejtim, sipas Kurtit, qëndron edhe në ndarjen e deputetëve shqiptarë në pozitë dhe opozitë. Sipas tij, shqiptarët e Maqedonisë më shumë janë të shtypur si shqiptar, se sa si qytetar.
“Këta shqiptarë që janë deputetë, dikush në pozitë e dikush në opozitë, nuk arrijnë të merren me kritikë ndaj shtetit maqedonas, pasi shteren në betejën që kanë me njëri-tjetrin. Fakti që deputetët shqiptarë vazhdimisht janë të ndarë në pozitë dhe opozitë bën që fuqia e tyre në përfaqësimin e shqiptarëve të jetë shumë e dobët”, ka shtuar ai.
Ndërsa nënkryetari i “Vetëvendosje”, Shpend Ahmeti, theksoi se tani është koha për një platformë të përbashkët ekonomike shqiptare me qëllim të rritjes së potencialit ekonomik. /Telegrafi/