Kalo te lënda

Vokrri ‘flladitë’ zviceranët: Nuk ua marrim Xherdanin!

Në një bisedë për gazetën e njohur zvicerane ‘Blick’, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka deklaruar se sa i përket pranimit të Kosovës në FIFA, gjithçka është pezull. “Gjithsesi, synimi im personal është që ne të mund të marrim pjesë në kualifikimet për Kampionatin Evropian të futbollit që mbahet në vitin 2016 në Francë”, u shpreh Vokrri.

Këto kualifikime fillojnë në vjeshtën e vitit 2014. Biseda me legjendën e futbollit kosovar nuk ka pasur si të mos fokusohet në çështjen më shqetësuese për opinionin zviceran, frikën se Kosova do t`ia marrë Zvicrës yjet si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Valon Behrami. Vokrri ua heq merakun menjëherë zviceranëve, duke përjashtuar kategorikisht çfarëdo angazhimi të federatës së tij në atë drejtim.

“Ne nuk do t`i nxisim ata kurrë (për të lëshuar kombëtaren zvicerane). Nuk do t`u dërgojmë atyre ofertë për të luajtur ndeshje për kombëtaren tonë, duke i joshur. FIFA ende duhet të vendosë nëse ata kanë fare të drejtë t’i ndërrojnë skuadrat kombëtare. Ne nuk do të bëjmë përpjekje ofensive për t`i përfituar. Vendimin, natyrisht, do ta marrin ata vetë”, deklaroi Vokrri. Në anën tjetër, Flamur Bunjaku, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, ka deklaruar se Shaqiri me bashkëlojtarë do të vazhdojnë të luajnë për Zvicër.

“Sa i përket kësaj, nuk ka vend për shqetësim. Unë vë bast se ata do të vazhdojnë të luajnë për Zvicrën. Është më mirë për Kosovën nëse këta futbollistë angazhohen edhe më tutje për Zvicrën, sepse ata janë shembuj të mrekullueshëm për integrim të suksesshëm. Zvicra ka bërë kaq shumë të mira për ne, sa që ne kurrë nuk mund t`ia kthejmë asaj. Është bukur, që tash, këta lojtarë me rrënjë kosovare, me sukseset e tyre ia kthejnë Zvicrës të mirat që ka bërë për ta”, u shpreh Bunjaku.

“Zvicra ua ka dhuruar karrierën këtyre lojtarëve. Pa Zvicrën, edhe vlera e tyre në tregun e futbollit do të ishte më e ulët. Ne po luftojmë për skuadrën tonë. Edhe pa Shaqirin, Xhakën e Behramin ne kemi mjaft lojtarë të mirë”, deklaroi në anën tjetër, Vokrri.

Lini një koment