Shpërthim i madh në fshatin Sankofc
Në Bjeshkët e Goleshit, afër fshatit Sankofc të Drenasit rreth orës 9 në mbrëmje ka ndodhur një shpërthim i madh për të cilën thuhet se Policia e Kosovës dhe pjesëtarë të FSK-së kanë deminuar një mjetë të dyshimtë.
Ky shpërthim sipas një qytetari të këtij fshati, i cili deshi që të mbetej anonim ka thënë për Indeksonline se Policia e Kosovës ka bërë këtë shpërthim pa paralajmërim, dhe se qytetarët janë tmerruar dhe janë frikësuar shumë.
“Ka qenë shpërthim aq i madh, saqë as në luftë nuk ka pasur kësi lloj shpërthime. Na u kanë traumatizuar edhe fëmijët e pjesëtarët tjerë të familjes. Askush s’ka ardh edhe me na thënë se do të bëjnë ndonjë dominim. Mirëpo ma e keqja është që është ora 9 e mbrëmjes dhe është shumë vonë të bëhen këto dominime”, ka thënë ky qytetarë.
I njëti person i ka thënë Indeksonline, se në atë vend as që ka ndonjë raketë e pashpërthyer, por që e gjithë kjo po bëhet për shkak të rërës që gjendet në atë vend.
“Po me i pa bjeshkët ti çka i kanë bërë, dhe e gjithë kjo po bëhet për shkak të rërës. Na i kanë rreziku edhe kullosat e nuk po guxojmë me shkuar më andej. Plus kësaj po na rrezikohen edhe fëmijët”, ka thënë qytetari.
Rastin e shpërthimit e ka konfirmuar edhe një burim brenda policisë së Kosovës, i cili ka thënë se mjeti i dyshuar është gjetur rreth orës tre pasdite.