Noka-Selimi: Rruga e Kombit na bashkoi përgjithmonë
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Flamur Noka, u takua me ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi.
Gjatë takimit ministri Noka, i shprehu ambasadorit Selimi vlerësimet më të mira për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe në të gjitha fushat.
“Bashkëpunimi ynë është në nivelet më të larta. Por, më lejoni të veçoj bashkëpunimin në fushën e kufirit, i cili nuk është thjesht një shembull i bashkëpunimit bilateral, por një shembull për të gjitha vendet e tjera, si forma më e lartë në menaxhimin e integruar të kufijve, si forma më e lartë e bashkëpunimit ndërkufitar”, deklaroi Noka, raporton noa.al.
Ai shtoi se Rruga e Kombit ka ndikuar në rritjen maksimale të shkëmbimeve tregtare dhe në atë të turizmit. Nga ana e tij, ambasadori Selimi, i konfirmoi Nokës se bashkëpunimi mes dy vendeve jo vetëm do të vijojë, por do të njohë zhvillime edhe më intensive në të ardhmen.
Selimi vlerësoi rolin e rëndësishëm të Shqipërisë për ecurinë e mëtejshme të proceseve integruese të Kosovës.