Kalo te lënda

Halbauer: Nuk do të tolerohet dhuna në veri

Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman, Volker Halbauer, ka thënë se detyra e tij parësore është që në gjithë territorin e Kosovës të sigurojë një ambient të qetë e të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjithë. “Ndërsa, ajo çfarë nuk do ta tolerojmë, është dhuna”, ka thënë ai.

Gjenerali Halbauer ka ftuar të gjithë që të kontribuojnë për një ambient të qetë dhe të sigurt, sepse kjo do të jetë në interesin e të gjithëve.

“Unë besoj që në radhë të parë është me rëndësi të vazhdohet me procesin apo dialogun politik. Dhe vërtetë kam besim që të gjitha ata që bartin përgjegjësi ta realizojnë atë në mënyrën e duhur. Unë do t’i zbatojë përgjegjësitë e mia e kjo është sigurimi i një ambienti të qetë e të sigurt”, ka thënë gjenrali Halbauer në Deçan, pas takimit me kryetarin e komunës Rasim Selmanaj, transmeton RTK.

Në takimin ndërmjet komandantit të KFOR-it dhe zyrtarëve të Komunës së Deçanit është biseduar për gjendjen e sigurisë në këtë komunë, bashkëpunimi me përfaqësuesit e Manastirit dhe problemi i Pushimores së fëmijëve në Deçan.

Komandanti i KFOR-it, Volker Halbauer gjithashtu ka vizituar edhe Stacionin policor dhe Manastirin e Deçanit.

Lini një koment