Dialogu duhet të nisë urgjentisht
Kryeministri i Kosovës, Hashitm Thaçi, duhet që pas kthimit nga SHBA-ja të nisë një proces që do t`i bëjë bashkë krerët e të gjitha partive, pos “Vetëvendosjes”, me qëllim të ndërtimit të një agjende nacionale karshi marrëdhënieve me Serbinë dhe veriut.
Ky është rekomandimi që e ka bërë ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, në një intervistë për “Kohën Ditore”.
Ai ka thënë se Londra dhe BE-ja e konsiderojnë dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë çështje urgjente që tashmë veç është vonuar, dhe nisja e tij nuk mund të presë. Sipas ambasadorit britanik, dialogu duhet të ndodhë para çfarëdo lloj zgjedhjesh që do të mbahen në Kosovë, ndërkaq që ideja e zgjedhjeve të parakohshme, sipas tij, është ide e keqe.
Cliff ka shpjeguar se plani i baroneshës Ashton për normalizimin e marrëdhënieve, por edhe të gjitha aranzhmanet për veriun nuk do ta rrezikojnë funksionimin e Kosovës, pasi që, sipas tij, zgjerimi i qeverisjes lokale nuk e rrezikon pushtetin qendror.
Ai ka kërkuar nga shoqëria kosovare dhe mediat që të flasin më shumë për zyrtarët e shtetit të përfshirë në afera të ndryshme kriminale, që duhet të japin dorëheqje. Sipas tij, lufta kundër korrupsionit në Kosovë është e komplikuar, por nuk është e humbur.