Partitë kapën për zyre
Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike kanë kundërshtuar një propozim për transferim të grupeve parlamentare në anekset e reja të ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
PDK dhe LDK po kërkojnë nga administrata e Kuvendit që krahas hapësirave që i kanë shfrytëzuar deri më tani, të kenë në dispozicion edhe zyrat e reja që janë ndërtuar për grupet parlamentare.
Siç shkruan gazeta Express, në anekset e reja kanë shkuar pa bërë probleme Lëvizja Vetëvendosje, AKR dhe grupet tjera parlamentare, ndërsa PDK dhe LDK po kërkojnë që t’i mbajnë edhe zyrat aktuale dhe ato të rejat.
Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi ka treguar për Express se zyrat u janë ndarë partive politike sipas numrave që kanë në Kuvend, ndërsa se a do të mbeten edhe më tutje PDK dhe LDK në zyrat e vjetra, ka thënë se duhet të vendosë Kryesia e Kuvendit.
“PDK dhe LDK, për shkak të numrit të madh të deputetëve, kanë kërkuar që të vazhdojnë shfrytëzimin e sallave për deputetë. Për vazhdimin e shfrytëzimit të të njëjtave duhet të merret një qëndrim nga ana e Kryesisë së Kuvendit”, ka thënë Krasniqi.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci ka thënë se partia e tij dhe LDK e kanë të pamundur të punojnë në Kuvend nëse nuk i shfrytëzojnë zyrat e vjetra dhe ato të rejat.
“Normal që ne po kërkojmë t’i mbajmë zyrat aktuale dhe ato që janë lëshuar tash në funksion. Ne i kemi 34 deputetë, LDK i ka 27 deputetë, ndërsa të tjerët kanë 10, 11, 12, më shumë nuk kanë. Nuk ka kushte normale për grupet tona pa i pasur zyrat në të dy pjesët”, ka thënë Grabovci.
“Aty ka mundësi me i shfrytëzu edhe zyrat aktuale, edhe zyrat e reja”, ka shtuar ai.
Sidoqoftë, në LDK kanë thënë se nuk do t’i lirojnë zyrat aktuale që i kanë duke i shfrytëzuar deri më tash dhe do të kërkojnë edhe zyrat e reja, që u takojnë në bazë të fuqisë politike./Indeksonline/
kur dojn me punu per popull munden edhe ne nje kiosk po kta qeveritart ton mjav lshu edhe krejt kosoven nuk i nxen.Te mjert ne ne dor te kujt kemi mbet pa pun pa pare varfni sa dush veq ishalla zoti na nimon .
PëlqejeniPëlqejeni