Nishani, mos dëgjoni propagandën serbe, njiheni shtetin e Kosovës
New York, 27 shtator – Presidenti i Shqipërisë iu drejtua sot pjesëmarrësve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, duke thënë se këtë vit Shqipëria kremton Njëqindvjetorin e Pavarësisë. “Teksa shënojmë këtë datë të rëndësishme dhe i hedhim një sy historisë sonë gjatë këtyre dhjetë dekadave, vërejmë me kënaqësi se më tepër se gjysma e kësaj periudhe është karakterizuar nga një bashkëpunim i suksesshëm dhe pjesëmarrje aktive nga ana e shtetit shqiptar në jetën e Kombeve të Bashkuara”, tha pos tjerash Nishani.“Shumë vetë e kanë përshkruar popullin shqiptar si mbijetues ndaj ngjarjeve të vështira të historisë. Nuk e kanë gabim: shqiptarët kanë vuajtur nga luftëra të padëshiruara, nga shpërngulje me dhunë prej trojeve të veta, nga sulme dhe përpjekje për t’i zhdukur nga faqja e dheut, nga copëtime të padrejta territoresh dhe përgjatë gjysmës së dytë të shekullit XX ata u rezistuan trimërisht edhe pesë dekadave komunizëm. Sot ne i kemi hedhur sytë drejt së ardhmes plot shpresë, besimplotë dhe të përgatitur që gjatë shekullit në vazhdim do të përjetojmë paqe, përparim ekonomik dhe rimëkëmbje kulturore e intelektuale të vazhdueshme”, tha kreu i shtetit shqiptar, duke vazhduar më pas edhe me fjalën për Kosovën dhe pavarësinë e saj.
“Më lejoni që të vë në dukje se krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës pesë vite më parë, e ka kthyer atë në një faktor të rëndësishëm të paqes dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Evropës Juglindore. Ai është ndërtuar dhe fuqizuar përkundrejt të gjitha vështirësive që ka hasur, të krijuara nga ata të cilët ende nuk mund ta pranojnë realitetin dhe ta shikojnë të vërtetën drejt e në sy. Me kalimin e kohës, Kosova e pavarur është njohur dhe pranuar nga një numër gjithnjë e në rritje shtetesh, ku përfshihen gati gjysma e anëtarëve të OKB-së.
Mendimi Këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në vitin 2010, në përgjigje të një kërkese të veçantë të Serbisë, qartësisht përcaktoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte bërë në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Vetëm disa ditë më parë, Kosova arriti një tjetër nivel të konsolidimit të shtetit me dhënien fund nga ana e bashkësisë ndërkombëtare të Fazës Mbikëqyrëse të Pavarësisë.
Përfitoj nga ky rast për të uruar autoritetet e Kosovës mbi përparimin e vazhdueshëm që kanë shënuar për sa i përket ndërtimit dhe fuqizimit të një shteti demokratik dhe një shoqërie shumetnike dhe u bëj thirrje të gjitha atyre vendeve, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, të marrin parasysh rishikimin dhe vlerësimin e këtij realiteti të pakthyeshëm në rajonin e Evropës Juglindore. Njohja e Kosovës është një akt drejtësie për ata njerëz, të cilët kanë vuajtur aq gjatë, dhe një kontribut tërësor për paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkan.
Kemi dëgjuar edhe më parë dhe presim të dëgjojmë sërish argumentet e tepërta të Serbisë në lidhje me Kosovën. Ajo që dështoi të arrihej me luftë, nuk mund të arrihet dot me propagandë. Ndërsa udhëheqësit e Serbisë flasin për copëtim dhe rihartim kufijsh, teksa ata lëshojnë deklarata shqetësuese duke mohuar gjenocidin e Srebrenicës, gjithsecili ka të drejtë të ngrejë pyetjen nëse e shkuara vazhdon akoma të endet mbi të tashmen, duke mjegulluar realitetin e duke i ngatërruar vizionin për të ardhmen”, tha pos tjerash Nishani në fjalën e tij të gjatë para shefave të shteteve dhe qeverive të tubuar këto ditë në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të KB-ve. .