Kalo te lënda

Muja i rehaton besnikët e vet

Në muajin e fundit të mandatit prej rektori të Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova ka ndërmarrë një sërë vendimesh për të akomoduar dhe avancuar njerëz luajalë të tij në pozita dhe për të regjistruar studentë jashtëligjshëm. Krejt këto veprime Muja i ka bërë pa shpallur konkurs dhe pavarësisht kufizimeve në vendimmarrje që i kishte vënë dy muaj më parë Këshilli Drejtues.

Rokadat do të kenë vëmendjen e pasuesit të Rugovës, Ibrahim Gashit. Rektori i ri që do të marrë detyrën nga e hëna e ardhshme, do t’i rishqyrtojë vendimet. Pastaj, do të vendosë se si të veprojë.

Sipas burimeve brenda rektoratit, Hysni Krasniqi,që ishte drejtor prokurimi, me një vendim të Rugovës është bërë koordinator i Qendrës së të drejtave të njeriut, që është në kuadër të UP-së. Në vend të Krasniqit është vënë Afrim Bajraktari, i cili ishte zyrtar prokurimi. Ngjashëm edhe Naser Hyseni është bërë drejtor i auditimit të brendshëm. Ai ishte vënë në këtë pozitë më herët, disa kohë pasi ishte suspenduar nga puna bashkë me djalin e rektorit Rugova, Armendin, për t’u bërë pastaj ushtrues detyre i sekretarit të përgjithshëm të UP-së, dhe për t’u rikthyer në pozitën e mëhershme, shkruan “Koha Ditore”.

Gazeta ka raportuar më herët sesi Rektorati po i mbante në pozita me rëndësi Krasniqin e Hysenin, pavarësisht se ishin suspenduar paraprakisht nga institucione të tjera të shtetit, pas dyshimeve të ngritura për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Edhe rekrutimi i të dyve në pozita paraprake ishte konstatuar të jetë i jashtëligjshëm. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, institucion ky që mbikëqyr zbatimin e rregullave dhe parimeve të legjislacionit gjatë punësimit, tek ka vlerësuar mënyrën e punësimit të Krasniqit, kishte  vendosur që të anulohej vendimi mbi bazën e të cilit ishte bërë zgjedhja. Të kundërligjshëm e ka vlerësuar edhe rikthimin e Hysenit nga pozita e ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm, në auditor të brendshëm.

Me dekret Rugova ka bërë drejtor të çështjeve akademike Gazmend Shabajn, një zyrtar ligjor. Në këtë pozitë ishte Halil Bala, që ka mbushur moshën e pensionimit.

Në saje të një vendimi, dhe pa konkurs, është bërë Ilir Hajdari drejtor financash. Në konkursin për këtë pozitë, një tjetër kandidat ishte zgjedhur, por Rugova pastaj kishte vendosur ta vendoste Hajdarin me dekret.

Edhe pozitën më të lartë në administratë, atë të sekretarit të përgjithshëm, gati gjatë gjithë mandatit Rugova e ka mbajtur me ushtrues detyre. Me vendim të tij, këtë pozitë e mban Milaim Mazreku. Edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, por edhe Gjykata Kushtetuese, kanë dhënë verdiktin se Esat Kelmendi duhet kthyer në pozitën e sekretarit të përgjithshëm, të cilin Rugova e kishte shkarkuar në vitin e parë të mandatit. Shkak ishte bërë një deklaratë e Kelmendit dhënë gazetës, se Rugova nuk do të duhej të mbante postin e rektorit prej kur kishte hyrë në moshë pensionimi. Moshën e pensionimit e kishte mbërritur diku gjashtë muaj pasi ishte bërë rektor.

Në UP kanë arsyetuar vendimet e Rugovës. Ferdane Llonqari, zëdhënëse e tij, ka thënë se, bazuar në Statutin e UP-së, rektori mund të punësojë, suspendojë e shkarkojë këdo. Mirëpo, punësimi i nëpunësve civilë bazohet në Ligjin për shërbyes civilë, sipas të cilit punësimet bëhen në bazë të konkursit. /Telegrafi/

Lini një koment