Kalo te lënda

LDK-ja e akuzon PDK-në për shantazh

Dega e LDK-së në Ferizaj e ka akuzuar PDK-në për shantazh dhe joshje ndaj kuadrove të saj. Kurse nënkryetari  i degës së LDK-së, Faik Grainca ka thënë se nuk ka ndodhur asgjë me transferimin e Medain Hashanit nga ky subjekt në PDK.

“Ka kohë që ai ka dhënë shenja të tilla, mirëpo brengosës është fakti se  PDK-ja po zbaton metoda shantazhi mbi bizneset e tyre  si dhe joshje postesh mbi anëtarët tanë”, pohoi Grainca.

Ai ka mohuar edhe akuzat e bashkëpartiakut të tij të deritashëm se në LDK po dështojnë reformat dhe se partia është nën diktatin e kryetarit Adem Salihaj.

”As kjo nuk është e vërtetë, sepse në LDK ka pasur zgjedhje brenda partisë, po ashtu ka frymë dhe hapësirë demokratike, kurse Hashani ka shkuar në një parti ku nuk janë mbajtur zgjedhjet për më se tetë vjet dhe ku do të hasë diktaturë”, ka thënë Grainca, transmeton Koha.net.

Ai ka ironizuar me cilësimet e Hashanit për demokraci në PDK, ndaj ka aluduar në konstatimet e zyrtarit të lartë të PDK-së, Jakup Krasniqi, për demokracinë brenda subjektit të tij.

“Është dashur ta dëgjojë Hashani më mirë Krasniqin se çfarë ka thënë dje për frymën demokratike në PDK”, i ka sugjeruar ai Hashanit.

Edhe ndaj paralajmërimeve të Hashanit se së shpejti do të pasojnë edhe “vagonë” të tjera të transferime nga LDK-ja në  PDK, Grainca ka tentuar t’i minimizojë dhe t`i shpërfillë.

“Këto janë arsyetime të tij, ne nuk kemi asnjë lloj paralajmërimi, por Hashani është joshur me karamele dhe ka përsëritur sindromën e ndërrimit të partive nga LDK-ja në ORA, prej ORA-s në LDK dhe ja tash në  PDK dhe nuk dihet ku do të përfundojë”, ia ka numëruar ‘mëkatet’ e Hashanit .

Madje, ai shfaqi habinë se si “pikërisht ai që kundërshtonte programet ekonomike të PDK-së tash u bën elozhe atyre programeve”.

Ndryshe, para gjashtë muajsh, edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoxha, i është bashkuar PDK-së. /Telegrafi/

Lini një koment