LDK e AAK ‘injorojnë’ Vetëvendosjen
Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka marrë asnjë ‘haber’ nga dy partitë e tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në lidhje me ftesën e bërë nga kjo lëvizje për bashkim forcash të bllokut opozitar kundër qeverisjes së Hashim Thaçit.
Edhe pse janë bërë më shumë se gjashtë muaj kur kjo lëvizje ua ka dërguar ftesat këtyre dy partive politike, Vetëvendosje asnjëherë nuk ka marrë asnjë përgjigje qoftë pozitive apo negative. Kjo Lëvizje pati paralajmëruar se nëse nuk merr përgjigje nga dy partitë opozitare, atëherë ‘lufta’ e saj e vazhdueshme ndaj Qeverisë do të përhapet edhe ndaj këtyre dy partive opozitare.
Megjithatë, Vetëvendosje ende shpreson në një përgjigje nga LDK-ja dhe AAK-ja. Madje sipas drejtueseve të kësaj lëvizje, tani është momenti i fundit kur opozita duhet të bashkohet dhe ta ‘dëbojë’ nga pushteti Qeverinë e Hashim Thaçit, shkruan sot Tribuna Shqiptare.
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka deklaruar për “Tribuna Shqiptare” se kjo lëvizje asnjëherë nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga dy partitë e tjera opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja e cila kishte të bënte me bashkim forcash të bllokut opozitar për ta rrëzuar nga pushteti qeverinë e tanishme. Sipas tij, një arsye më shumë për t’u bashkuar opozita është përgatitjet që kanë filluar për dialog politik me Serbinë, e të cilin e kundërshton ashpër Lëvizja Vetëvendosje.
“Çdo ditë e më shumë po bëhet i domosdoshëm koordinimi për të kundërshtuar dhe institucionalisht negociatat e reja politike për veriun e vendit”, ka thënë Ymeri. Ai ka shtuar se ftesa e Vetëvendosjes bërë subjekteve opozitare është aktuale, andaj shpresojnë në një përgjigje pozitive. “Edhe pse ende nuk kemi marrë përgjigje, ne jemi të hapur për t’u takuar dhe koordinuar në çdo kohë me ta”, ka thënë Ymeri./standardi.info