Kalo te lënda

Gjendja në UP, e pashpresë

Instituti i Prishtinës për Studime Politike, ka publikuar dhe organizuar tryezën për sfidat e Arsimit të Lartë në Kosovë: Rasti i Universitetit të Prishtinës.

Pothuajse të gjithë të pranishmit, përfshirë Rektori i sapozgjedhur, Ibrahim Gashi e përfaqësues të ministrisë, gazetar e ekspert, janë pajtuar për gjendjen e vështirë që kalon UP-ja por duke shprehur zotimin për ti tejkaluar ngecjet.

Në hapje të tryezës, Drejtoresha e PIPS-it, Leonora Kryeziu ka folur për rëndësinë e temës dhe arsyet e angazhimit të organizatës në këtë fushë. Sipas saj, me këtë aktivitet synohet të ngritet vetëdija e të gjithë aktorëve të shoqërisë për gjendjen ku ndodhet Arsimi, cfarë cilësie ofrohet dhe ku qëndron UP-ja.

“Nuk ka qenë e rastësishme përzgjedhja e temës. është një shqetësim i të gjithëve. Si student, si mësimdhënës, si prindër të studentëve të ardhshëm, dhe tek e fundit si taksapagues. Nuk është ideja që ti ritheksojmë ngecjet por si të ecim përpara” ka thënë Kryeziu.

Rektori i sapozgjedhur, Ibrahim Gashi ka folur për ambiciet e tij gjatë mandatit të ardhshëm duke thënë se do të mundohet ta vendos si prioritet rritjen e cilësisë së arsimit dhe për ti sanuar dështimet. Ai ka thënë se fillimisht UP-së i duhet rikthimi i besimit të shoqërisë ndaj këtij institucioni në mënyrë që të ecet më tutje. Ndësa ka shtuar se i duhet edhe mbështetje institucionale e gjithanshme për të lëvizur tutje.

Edhe të pranishëm të tjerë kanë alarmuar për gjendjen e rëndë që ndodhet në Arsimin e Lartë dhe UP, duke kërkuar më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga institucionet.

Në këtë tryezë, është publikuar edhe Analiza e Shkurtër e PIPS-it, “Universiteti i Prishtinës: prej provimit në provim” i cili flet për ndërhyrjet politike në UP, politizimin e Universitetit, të gjeturat e auditimit dhe agjencisë së akreditimit, duke ofruar rekomandimet si të ecet tutje./Indeksonline/

Lini një koment