Kalo te lënda

Efekti anti-damping

Qeveria e Republikës së Kosovës, me 12 shtator mori vendim për vendosjen e rritjes së vlerës reale për produktin e importuar nga Serbia, masa anti-damping, dhe kjo e gjitha erdh pas vendimeve që MTI mori për mbrojtjen e prodhuesve vendorë, më 18 qershor.

E ky vendim i Ministres Kusari-Lila, pa dyshim që ka pasur efekte tek prodhuesit dhe importuesit e këtyre bllokave.

Ajo që e ka përjetuar më mirë dhe që është ndarë më e kënaqur është padyshim firma “Silkapor”, me pronarë Zylqif Berisha, që merret me prodhimin e bllokave “Silkapor”.

Berisha për Indeksonline ka deklaruar edhe pse vendimi është marrë vonë, në firmën e tij është rritë prodhimi dhe numri i punëtorëve.

“Ka ndryshim për sa i përket prodhimit. Ka disa ditë që vendimi ka hyrë në fuqi dhe është rrit edhe prodhimi. Po ashtu ka disa ditë që punëtorët që i kemi larguar më herët, i kemi kthyer sërish në punë dhe kjo normal që është një e mirë”, është shprehur Berisha.

Po ashtu edhe në Ministrinë e Tregtisë thonë se masat anti-damping kanë filluar të tregojnë efektin e tyre pozitiv.

Arta Istrefi këshilltare politike për media e Ministrës Mimoza Kusari-Lila, ka thënë për Indeksonline se deri tani gjithçka ka shkuar mirë sa i përket masës anti-damping.

“Edhe pse akoma nuk kemi ndonjë raport nga Drejtoria për Tregti, shihet se ka pasur efekt pozitiv sa i përket prodhuesve vendorë. Nga të dhënat shihet se kjo masë ka qenë shume e nevojshme dhe se tani importi është shumë më i vogël”, ka deklaruar Istrefi për indeksonline.

Por kjo masë ka pasur edhe efekte negative për disa importues. Këshilltarja e Ministres Kusari-Lila, thotë se ka pasur edhe një ankesë nga firma “Xella” e cila ka importuar blloka të llojit “Siporeks”.

“Kemi pasur një ankesë nga firma “Xella”, ku ata kanë theksuar se ne jemi firmë gjermane dhe nuk ka lidhje nëse ne importojmë blloka të llojit “Siporeks”. Mirëpo ne ua kemi bërë të qartë se nuk ka lidhje me firmën, por e gjitha ka të bëjë me origjinën e mallit”, është shprehur Istrefi.

Komisioni për Vlerësimin e Masave në Importe (KVMI), bazuar në Ligjin për Masat Antidamping dhe Kundërbalancuese, i cili është mbledhur për të vlerësuar këtë gjendje kishte konstatuar se masa anti-damping ka qenë e nevojshme për produktet e ndërtimit, konkretisht blloqeve Siporeks që importohen nga Serbia.

Gjatë hulumtimit janë konsultuar palët e ndryshme, duke filluar nga Doganat e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, si dhe importuesit dhe prodhuesi i vetëm në Kosovë.

Sipas Ministrisë së Tregtisë, e cila ka thënë se nga informatat e mbledhura për çmimin e produktit, i cili importohet në Kosovë, është konstatuar se i njëjti hyn në vendin tonë me çmim nën vlerën reale të prodhimit nga vendi i origjinës. Ky produkt, siç ka theksuar Ministria e Tregtisë, hyn me € 25/ m3, në krahasim me çmimin e prodhimit në vendin e origjinës prej € 52,7/ m3 (pa TVSH dhe shpenzime të transportit) me çmimin franco fabrikë.

“Bazuar në këto të gjetura gjatë periudhës prej 60 ditësh, dhe të Ligjin Nr. 03/L-097 për masat Antidamping dhe Kundërbalancuese, ministrja Mimoza Kusari – Lila propozoi vendimin në Qeveri, kurse Qeveria me shumicë votash mori vendim për rritjen e vlerës reale të produktit të importuar nga €25/m3 në €40/m3, gjë që korrespondon me koston e prodhimit për 1m3 të prodhuesit vendorë”, thuhej në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Tregtisë.

Ky është rasti i tretë që MTI-ja ka mbrojtur prodhuesit vendorë. MTI për herë të parë ka përdorur ligjin për masat Anti-damping dhe Kundërbalancuese më 12 janar 2012, me ç’rast është mbrojtur mishi i zogut të pulës, rasti i dytë është vendosja e masave mbrojtëse në importin e çimentos, më 11 qershor, dhe ky i fundit në blloqet siporeks./Indeksonline/

 

Lini një koment