As PDK-ja, as AKR-ja nuk u përgjigjen akuzave të Krasniqit
Zv. kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, vazhdon ta ushtrojë aktivitetin e tij lobues në New York përkrah kryeministrit Thaçi, thuajse asgjë s’ka ndodhur rreth tij. Ai, sikurse anëtarët e partisë së tij në Kosovë, nuk kanë dashur ta komentojnë kërkesën për dorëheqje që ka ardhur nga një zyrtar i lartë i PDK-së dhe kryetrari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Shefja e grupit parlamentar të AKR-së, Myzejene Selmani, i ka thënë KTV-së se nuk dëshiron ta komentojë këtë kërkesë të bërë publikisht, me arsyetimin se është vetëm një mendim personal i Krasniqit dhe asgjë tjetër.
Krasniqi deklaroi në emisionin Rubikon se pas aferës së ‘Grandit’, Pacolli duhet të largohet. Kryekuvendari nuk është ndalur vetëm në këto kërkesa. Ai më tej ka kritikuar kryeministrin Thaçi për qasjen ndaj bisedimeve duke paralajmëruar largimin e tij nga PDK-ja, nëse nuk bëhen reformat. Por ky qëndrim i Krasniqit nuk është komentuar nga asnjëri prej zyrtarëve të qeverisë apo kolegëve partiakë, me përjashtim të Berat Buzhalës dhe anëtarit të vonë të kësaj Partie, i cili konsiderohet si “avokat” i shefit të tij – Hashim Thaçit.