Kalo te lënda

Arrestimi i Hamitit përplas Mustafën e Ramabanë

Me përplasje ndërmjet përfaqësuesit të Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja. dhe kryetarit Isa Mustafa, ka kaluar mbledhja e sotshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, raporton KTV.

Pas arrestimit të kryesuesit, Sami Hamiti, mbledhja ka nisur me një kërkesë të Ramabajës, që në rend të ditës të futet ky arrestim dhe të ketë një informim për qytetarët rreth gjendjes pas arrestimit tij. Ai madje ka thënë se Hamiti do të duhej qysh në ditën e arrestimit të jepte dorëheqje, si gjest morali. Mirëpo, zëvendës kryesuesi, Engin Beyoglu, ka thënë se kjo nuk është çështje urgjente për qytetarët dhe nuk mund të futet në rend të ditës.

“Çka duhet të ndodhë atëherë, pasi të arrestohet edhe kryetari i komunës?”, ka pyetur Ramabaja.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Mustafës. “Ti do të dëshiroje ashtu, sepse në mendjen tënde nuk ka asgjë pozitive. Mendja jote është mendje e prishur, e cila do t’i burgoste të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe ti nuk mund të flasësh për moralin. Me qenë ti i moralshëm, atëherë kishe qenë përfaqësues i partisë dhe votuesve që të kanë pru në këtë kuvend”, i është kundërpërgjigjur kryetari Mustafa.

Pas kësaj Ramabaja ka lëshuar sallën.

Kuvendi i Komunës së Prishtinës nuk ka mbajtur mbledhje që nga arrestimi i kryesuesit të saj, Sami Hamiti, i cili gjendet paraburgim.

Lini një koment