AGPK dënon sjelljet e drejtorit të QKK-së
Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës me shqetësim ka marrë njoftimin për sjelljen e paprecedent të drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK), Fatos Berisha, i cili ka penguar gazetarin e “Kohës Ditore” Vullnet Krasniqi gjatë punës së tij, tek ka përcjellë premierën e filmit “Tri botët” që është shfaqur në kuadër të festivalit “Prifest” që po mbahet në Prishtinë.
Berisha, në cilësinë e bashkëshortit të drejtoreshës së këtij festivali, nuk i ka lejuar hyrjen në Teatrin Kombëtarë gazetarit Krasniqi.
Berisha, për një kohë të gjatë, për shkak të pakënaqësive të tij me disa raporte të gazetës, ka mbyllur Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe ua ka ndaluar të gjithë zyrtarëve të këtij institucioni komunikimin me “Kohën Ditore”.
“AGPK kërkon nga Bordi i QKK-së që të distancohen nga sjelljet e zotit Berisha. AGPK kërkon nga Ministria e Kulturës Rini dhe Sportit që të marrin masa ndaj këtij zyrtari. AGPK i bënë thirrje z. Berisha që të heq dorë nga pengimi i gazetarëve në punën e tyre dhe që t`i adresojë pakënaqësitë tij në rrugë ligjore. Pengimi i gazetarëve në punën e tyre paraqet shkelje të papranueshme të lirisë së shtypit”, thuhet në reagimin e AGPK-së.
AGPK dënon kërcënimet e krerëve të Skenderajt ndaj gazetarit Meta
Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë me shqetësim po i përcjell kërcënimet e vazhdueshme që kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe disa zyrtarë tjerë të kësaj Komune, përfshirë nënkryetarin Fadil Nura, po i bëjnë korrespodentit të gazetës “Koha Ditore”, gazetarit Adem Meta dhe familjes së tij, thuhet në një reagim të këtij asociacioni për opinionin publik.
Gjatë gjithë mandatit, zyrtarët e kësaj Komune dhe kreu i saj e kanë penguar gazetarin Meta në punën e tij, ndërkaq disa herë gjatë këtij viti e kanë paralajmëruar se “pasojat do t`i vuajnë” edhe fëmijët dhe familja e gazetarit.
Asociacioni ka në dijeni edhe një rast kur kryetari Lushtaku është përpjekur që ta sulmojë fizikisht gazetarin Meta, por është ndalur nga bashkëpunëtorët e tij.
Kërcënime ndaj zotit Meta ka bërë edhe nënkryetari i Komune dhe familjarë të tij, pas një shkrimi që raportonte për asfaltimin e rrugës pranë shtëpisë së nënkryetarit.
Duke marrë për bazë të gjitha këto kërcënime, dhe duke e pasur parasysh se për të gjitha ekzistojnë dëshmi, AGPK e ka mbështetur z. Meta në ngritjen e një kallëzimi penal ndaj Lushtaku në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
AGPK u bën thirrje institucioneve të drejtësisë në Kosovë dhe EULEX-it që ta kenë parasysh këtë rast të rrezikimit të gazetarit për shkak të punës së tij.
AGPK u bën thirrje zyrtarëve të Komunës së Skenderajt dhe kryetarit Lushtaku që të heqin dorë nga kërcënimet dhe shantazhet ndaj z. Meta, dhe t`i adresojnë pakënaqësitë e tyre në rrugë ligjore.
Kërcënimet se “shokët e mi kanë me u marrë me ty”, angazhimi i zyrtarëve të Komunës për ta përcjellë gazetarin dhe mesazhet për familjarët e tij, tejkalojnë çdo sjellje normale të një institucioni karshi një gazetari dhe shkelin rëndë lirinë e shtypit.