Kalo te lënda

Isa, “as me shehër as me Barilevë”!

Deklaratat kontroverse të kreut të LDK-së rreth dialogut e kanë vënë në dyshim mbështetjen e përfaqësive diplomatike ndaj tij. Dhe jo vetëm kaq. “Qëndrimet kokëforta në të gjitha konstalacionet politike në vend, e kanë lëkundur deri në substancë bashkëpunimin me Isa Mustafën” bëjnë të ditur burimet nga kori diplomatik në Prishtinë. Ata duan LDK me mendësi të së sotmes, jo relikt të së kaluarës… “kjo nuk është LDK-ja që e dëshironte Ibrahim Rugova”, thonë burimet e “Tribuna Shqiptare”.

Mësohet se përfaqësues të disa vendeve me peshë, kanë filluar të nuhasin pasuesin në pozicionin e Mustafës në partinë më të madhe opozitare në vend. Si rrjedhojë e kësaj, por edhe e mungesës së reformës partiake dhe thellimit të ndarjeve brenda LDK-së, Mustafa ka humbur mbështetjen edhe tek një pjesë e Kryesisë. “Çka bëri Isa për LDK-në? Asgjë. Kemi mbet as me shehër as me Barilevë… I ka humb rruga në oborr”, thotë më mllef një themelues i LDK-së.

Gjersa presioni ndërkombëtar për largimin e Mustafës nga kreu i LDK-së po rritet, shoqëria përgatitet për ndryshime brenda LDK-së. Dilema nuk është më tek “karriget”, por tek figura e cila do ta nxirrte këtë parti nga kriza! Kriza morale, që do distanconte LDK nga krimi i organizuar dhe aferat korruptive me të cilat u godit keq së fundmi, dhe rikthimin e besimit te elektorati tradicional. Te votuesit e Ibrahim Rugovës.

Analisti politik Shkelzen Maliqi, vlerëson se Isa Mustafa dhe drejtues të tjerë të LDK-së po pozicionohen politikisht dhe po duan të krijojnë njëfarë profili se janë kundër negociatave për veriun, duke krijuar përshtypjen se është subjekti më patriotik, madje më shumë sesa Lëvizja Vetëvendosje. “LDK do ta marrë shfrytëzojë pozicione edhe për diçka që të tjerët nuk e kërkojnë. Askush nuk e ka thënë publikisht se duan të bisedojnë për veriun, por është deklaruar se do të vazhdohet dialogu. Diku-diku ndoshta thuhet se do të negociohej për veriun, por këtë më shumë e thonë të huajt, ndërsa qeveritarët tanë thonë se është vetëm Plani i Ahtisarit”, ka thënë Maliqi.

Lini një koment