Dita e drogës
Policia e Kosovës vetëm gjatë ditës së djeshme është ballafaquar me pesë raste të gjetjes së lëndëve narkotike. Drogë është gjetur pothuajse në të gjitha regjionet ndërsa në pranga kanë përfunduar tetë persona të dyshuar.
Policia e Kosovës raporton se, dje në Pikë Kalimin Kufitar të Hani i Elezit, janë arrestuar dy të dyshuar me nënshtetësi shqiptare, pasi që gjatë kontrollit në veturën e tyre VW me të cilën po udhëtonin janë gjetur dhe konfiskuar 2 kilogram e 141 gramë drogë, lloji i paspecifikuar si dhe dy armë zjarri.
Lidhur me rastin në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse policore. Të dyshuarit pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Ndërsa në Lipjan, dje pasdite, Departamenti për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve ka vënë nën pranga dy të dyshuar, pasi që të njëjtit ishin ndalur me veturën e tyre, ku gjatë kontrollimit brenda në veturë është gjetur dhe konfiskuar një sasi e dyshuar narkotike e llojit kokainë në peshë 103.1 gr.
Lidhur me rastin është kontrolluar edhe banesa e njërit prej të dyshuarve, ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një sasi prej 5.5 gr substancë narkotike e llojit kokainë dhe 30 fishek të kalibrit 7.62 mm. Me urdhër te Prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Rastet tjera të gjetjes së drogës dhe arrestimit të personave të dyshuar ka pasur edhe në fshatin Novosellë të Prizrenit, ku janë arrestuar dy persona, po ashtu dy të tjerë janë kapur me drogë në Rahovec e Gjilan./V.Krasniqi/