Bima helmuese që ngordhi 6 lopët e Mushtishtit
Lopët e Mushtishtit dhe ato të Dvoranit, dy fshatrave të Suharekës, nuk i helmoi dora e njeriut. Ato e pësuan nga një bimë helmuese, që u rrit në mesin e barit. Këto janë analizat përfundimtarë që iu dorëzuan Isuf Destanit, bariut të Mushtishtit, të shtunën.
Pas një muaj ankth, Isufi e kuptoi se çfarë në të vërtetë u ndodhi 6 lopëve, të cilat i ngordhën njëra pas tjetrës, derisa i kishte lëshuar në livadh për të kullotur. Në raportin e analizave që i erdhën nga Gjermania, ai e mori vesh se kafshët e kishin ngrënë një bimë që ua merr jetën kafshëve.
“Ish njëfarë bime helmuese që ditën e 20 gushtit lopët që unë i nxjerra në livadh, e kanë ngrënë. Kështu kanë konstatuar analizat që unë i kam marrë para dy ditësh”, tregon Isufi për Express.
Se çfarë lloji është dhe çfarë forme ka kjo bimë që ua mori jetën lopëve që ishin nën kujdesin e tij, Isufi nuk e di. Krejt çka ai ka kuptuar nga analizat që ka marrë është se bima në fjalë është shumë rrezikshme për kafshët në përgjithësi.
“Një muaj prita që ta kuptoj dhe në fund më sqaruan se çfarë në të vërtetë ka ndodh. Në raportin e analizave përmendet vetëm ajo bimë- pa emër dhe pa asnjë të dhënë tjetër”, thekson ai.
Ky fakt bën që Isufi të mendojë shumë kur të vendosë se ku do t’i kullosë këto kafshë. Kjo pasi, sipas tij, mungesa e informacioneve shtesë për këtë lloj bime mundëson që të lopëve të tij t’u ndodhë po prapë e njëjta gjë, siç u ndodhi një muaj më parë. “Të paktën ta dinim formën e kësaj bime, kjo do të na ndihmonte shumë”, thotë ai.
Sidoqoftë, krejt çka tash ka rëndësi për këtë bari është fakti se ai ka marrë lejen nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës që t’i lërë kafshët të kullosin pa pikën e problemit. “Edhe në analiza thuhet se qumështi i tyre mund të konsumohet, nuk përbën rrezik”.
Sëmundja misterioze që i la të ngordhura 6 lopët u Mushtishtit u përsërit edhe në një fshat tjetër të Suharekës. Pak ditë pas Isufit, një bariu tjetër në Dvoran. Aty Hazir Aliajt iu sëmurën 6 lopë, derisa fqinjit të tij i ngordhi një dele nga e njëjta bimë.
Në fillim kur kjo ngjarje ndodhi në dy fshatrat, banorët aty dyshuan se në krejt këtë punë ka gisht dora e njeriut. Por, e kundërta u vërtetua këtë të shtunë. Një muaj pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës i dërgoi mostrat e kafshëve të ngordhura për një analizë të thellë në Gjermani, u kuptua se gjithçka kishte të bënte me një bimë të rrezikshme dhe vdekjeprurëse. Kohën kur ndodhi kjo u bë edhe asgjësimi i kafshëve të ngordhura në mënyrë profesionale nën mbikëqyrjen e inspektorit sanitar të AUV, ku është bërë groposja në përmasa e kërkuara dhe jashtë zonës së banuar, e cila i ka plotësuar të gjitha kushtet sanitare për mosndotje.
Për ditë të tëra AUV mori vendim për të izoluar zonën e prekur dhe njoftuar fermerët për masat që duhen ndërmarr për t’i ikur çfarëdo rreziku të helmimit të mundshëm. Fillimisht është ndaluar lëvizja e kafshëve brenda zonës, ku kanë ndodhur ngordhjet, është ndaluar konsumimi i produkteve të kafshëve ne ato ferma prej të cilave kafshët kanë qenë ne tufë bashkë me kafshët e ngordhura./Indeksonline/
skan faj lopet te ngratet ne mushtisht edhe njerzit jan helmus e le ma bari
PëlqejeniPëlqejeni