Behrami mposht thellë Canën, fitojnë Interi e Milani
Napoli i Valon Behramit dhe Blerim Xhemajlit është barazuar me pikë dhe me goldallim me kampionin e Italisë Juventus në pozitën e parë në Serie A, pasi që të mërkurën në shtëpi ka mposhtur 3:0 Lazion e Lorik Canës.
Napoli, pas pesë xhirove ka grumbulluar 13 pikë dhe ndanë vendin e parë me Juventusin.
Shënues i trefishtë për napolitanët ishte Cavani, i cili shënoi në minutat 19, 31 dhe 64. Valon Behrami ishte i pazëvendësuar në pozitën e tij të mesfushorit shkatërrues, kurse Blerim Xhemajli nuk është inkuadruar fare.
Në anën tjetër, Lorik Cana është futur në lojë në minutën e 77’ në vend te Ledesmas.
Lazio me këtë disfatë ka humbur pozitën e tretë në renditje, ndërsa ka 9 pikë nga pesë ballafaqime.
Në ndeshjet tjera të xhiros së pestë të zhvilluara të mërkurën, Milani ka arritur fitoren e parë në “San Siro” me rezultat 2:0 kundër Cagliarit. Të dy golat për Milanin i ka shënuar El Shaarawy (min. 15’ dhe 82’)
Pas këtij triumfi, Milani ka grumbulluar 7 pikë nga pesë ndeshje dhe pozicionhet në mesin e tabelës.
Fitore ka shënuar edhe skuadra tjetër nga Milano, Interi, që në udhëtim ka mundur Chievon me rezultat 2:0. Për Interin shënuan Pereira (min. 43’) dhe Cassano (min. 74).
Më këtë fitore, Interi ngjitet në kuotën e 9 pikëve.
Roma ka arritur vetëm barazim në “Olimpico” 1:1 në ballafaqim me Sampdorian. (ORAinfo)
Rezultatet e së mërkurës
Pescara – Palermo 1:0
Ac Milan – Cagliari 2:0
AS Roma – Sampdoria 1:1
Catania – Atalanta 2:1
Chievo – Inter 0:2
Napoli – Lazio 3:0
Torino – Udinese 0:0
Genoa – Parma 1:1