BE harton planin për takimin Thaçi-Nikolic
Plani i Brukselit është që sa më shpejtë, më se voni deri në fund të vitit, në tavolinën e bisedimeve në Bruksel të ulen përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton dhe presidentja dhe kryeministri i Kosovës dhe ata të Serbisë, për të filluar bisedimet politike për normalizimin e marrëdhënieve të dy shteteve në kufijtë ekzistues.
Për bisedime direkte politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është pajtuar edhe presidenti serb i cili një ditë më parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ka thënë se Serbia është e gatshme për fillimin e dialogut politik.
Plani i Brukselit është që bisedimet të qojnë deri të nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunim ndërfqinjësor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas “Blicit”, këtë e mbështesin edhe SHBA-të, ndërkohë administrata në Uashington ka vendosur që formalisht në tavolinë të ulet edhe sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton.
Këtë e kanë konfirmuar për të përditshmen serbe disa burime mirë të informuara në Bruksel dhe qarqe politike në Beograd, raporton OraInfo.
Letra si propozim e Ashtonit për bisedime politike, do të prezantohet si propozimin i përbashkët i Ashtonit dhe Clintonit. Mirëpo, propozimin në tërësi e ka hartuar diplomati evropian, Shtefan Lehne.
Ndërkohë një ditë më parë presidenti serb, Tomislav Nikolic, ka thënë se Serbia është e gatshme për bisedime politike me Kosovën, porse sipas tij, njohje nuk do të ketë kurrë.
Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi është kundërpërgjigjur duke thënë se Kosova është e gatshme për bisedime dhe vendosjen e marrëdhënive ndërshtetërore midis dy vendeve, pasi sipas tij, pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm.