Kalo te lënda

Zbatim marrëveshjesh, jo deklarata boshe

Përveç deklaratave, Serbia me asgjë nuk ka dëshmuar se po zbaton marrëveshjen për menaxhim të integruar të kufirit, ka deklaruar kryenegociatorja e palës kosovare në bisedimet me Beogradin, Edit Tahiri.

Komentet e saj pasojnë deklaratat e shefit të ekipit negociator të Serbisë, Dejan Pavicevic, sipas të cilit Qeveria serbe edhe zyrtarisht e ka njoftuar Brukselin me vendimin për gatishmërinë e pranimit të marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit, të njohur si IBM, ndonëse ka kërkuar edhe disa sqarime të kësaj marrëveshjeje.

Mirëpo, në bazë të përvojës së deritashme, pala kosovare konsideron se Beogradi në vazhdimësi u ka ikur zbatimit të marrëveshjeve.

Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se me disa përjashtime Serbia ka shmangur ose zvarritur zbatimin e shtatë marrëveshjeve të arritura në bisedimet teknike të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

“Ne vazhdimisht kemi kërkuar nga BE-ja që të rrisë trysninë ndaj Serbisë. Nuk kemi parë ndonjë përkushtim substancial nga ana e Serbisë. Pritet të shihet”, thotë ajo.

Përveç marrëveshjes për menaxhim të integruar të kufirit, Serbia nuk ka zbatuar as marrëveshjen për lëvizjen e lirë, atë për kthimin e dokumenteve kadastrale, atë të bashkëpunimit rajonal etj. Në këso rrethana, Tahiri vlerëson se bisedimet nuk mund të vazhdojnë, përderisa Beogradi të mos ndryshojë qasjen.

Në kuadër të krijimit të klimës për zbatimin e marrëveshjeve, Serbia duhet që t’i shuajë edhe strukturat e saj paralele në Kosovë, thekson zëvendëskryeministrja Tahiri.

“Ne konsiderojmë që një prej veprimeve që ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjeve është zhbërja e strukturave paralele, ilegale, që veprojnë në pjesën veriore të vendit, e për të cilat edhe BE-ja, veçmas Berlini, ka bërë të qartë se është një prej kushteve për të krijuar klimën e zbatimit të marrëveshjeve, por edhe krijimit të mundësisë që bashkëpunimi midis dyja shteteve të marr një kahe më pozitive”, thotë Tahiri.

Ndërkohë, mediat serbe kanë raportuar se kryenegociatori serb, Dejan Pavicevici, i ka njoftuar autoritetet e BE-së se Qeveria e Serbisë zotohet të zbatojë marrëveshjen për menaxhim të integruar të kufirit, por me disa sqarime. Në një letër që ai i ka drejtuar BE-së, thuhet se Beogradi dëshmon se e zbaton marrëveshjen e arritur nga Qeveria paraprake serbe me atë të Kosovës, por aty vihet dyshimi për praninë e policëve dhe doganierëve të Kosovës në pikat kufitare.

Shkëmbimi i letrave me Brukselin, sipas zyrtarëve serbë, nuk nënkupton që Serbia dhe Kosova po vendosin kontrollin e integruar të kufirit, por po fillojnë bisedimet me BE-në për zbatimin e marrëveshjes që Qeveria paraprake kishte nënshkruar në shkurt të këtij viti.

Nga shtatë marrëveshjet e arritura në dialogun Prishtinë-Beograd, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ajo për menaxhim të integruar të kufirit konsiderohet si më e vështira për palën serbe, pasi që zbatimin e saj besohet se Prishtina do ta interpretonte si njohje të kufirit shtetëror të Kosovës nga ana e Serbisë.

Sidoqoftë, vet kryeministri serb, Ivica Dacic, ka deklaruar se Beogradi nuk mund t’u ikë marrëveshjeve që tashmë i ka nënshkruar, pavarësisht nëse bëhet fjalë për Qeverinë e tashme apo atë të kaluarën. /Telegrafi/

Lini një koment