Thaçi: Serbia të lirohet nga mentaliteti mesjetar
Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi takoi sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë z. Guido Vestervelle.
Kryeministri Thaçi e njoftoi Ministrin e Jashtëm Gjerman me zhvillime e fundit në Kosovë, procesin e njohjeve dhe atë të integrimit evropian. Kryeministri e falënderoi Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë për mbështetjen e pa kursyer dhe përkushtimin e shtetit Gjermna karrshi Kosovës dhe rajonit. Ministri Vestervelle konfirmoi se ky angazhim dhe ky përkushtim do të mbetet i palëkundur.
“Kosova është e gatshme për të hapur kapitullin e ri, atë të integrimit në BE dhe në mekanizmat e tjerë relevant multilateral. Ne do të përmbushim çdo kriter dhe çdo detyrim “ – tha Kryeministri Thaçi.
“Jam mirënjohës dhe me përulësi shpreh admirimin tim për ushtarët gjerman në Kosovë. Ne duhet të punojmë bashkërisht që paqja dhe stabiliteti përfundimisht të mbizotërojnë në rajon dhe në relacionet mes vendeve të Ballkanit Perendimor. Tani e tutje, ne duhet të përqendrohemi në zhvillim dhe integrim. Pavarësia nuk është e vetëmjaftueshme, ne duhet të integrohemi dhe të trajtohemi barabar me shtetet tjera, “ tha Kryeministri Thaçi.
“ Ne po ashtu jemi të gatshëm për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por ky normalizim asnjëherë dhe me asnjë kusht nuk do të kalojë në kurriz të pavarësisë, integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Serbia duhet të çlirohet nga mentaliteti mesjetar dhe të kuptojë që Kosova dhe pavarësia e sajë është fakt i pakthyeshëm “ tha Kryeministri në takim./standardi.info