‘Termokosi’, gërmadhë që avullon para por nuk ngrohë!
Ngrohtorja e qytetit të Prishtinës “Termokos” duket se edhe këtë vit do të jetë e ftohët për qytetarët. Kur kanë mbetur vetëm edhe 20 ditë nga fillimi i zezonit ngrohës, kjo ndërmarrje është e “mbytur” në krizë financiare.
“Termokos” tani e disa javë i ka të bllokuara të gjitha llogarit bankare, për shkak të disa borxheve të papaguara ndaj ish-kompanisë furnizuese më mazut “Comcat Gruop”. Ngrohtorja kësaj kompanie i ka borxh afër 1 milionë euro, dhe derisa nuk paguhet ky borxh “Termokos” do të “punoi” pa llogari bankare.
E, puna pa to, ngrohtores i ka dal të jetë e vështirë. Ditë më parë ka përzgjedh kompaninë kontraktuese për mazut, por pagesën ndaj kësaj kompanie nuk mund ta bëjë, ngase ligjërisht nuk lejohen pagesat më para në duar (kesh). E, deri të zhbllokohen llogarit ngrohtorja mbetët më shpresë se do ta filloj sezonin ngrohës.
“Ne jemi duke bërë çmos që llogaritë bankare të zhbllokohen dhe nuk do të bëjmë kurrfarë furnizimi me mazut apo pagese derisa të bëhet zhbllokimi i këtyre llogarive bankare. Çështja e pagesës me kesh është e rregulluar me ligj. Ne jemi duke iu përmbajtur ligjit dhe do t’i përmbahemi edhe në të ardhmen sa u përket pagesave në kesh. Ne do të bëjmë porosi të mazutit për aq sa do të kemi mjete financiare dhe se do t’iu përmbahemi afateve ligjore për pagesa sipas kontratës”, ka thënë zëdhënësja e ngrohtores Afërdita Uka-Fejzullahu.
Ajo më tutje ka treguar se shkaku i krizës financiare edhe punëtorët e ngrohtores janë në gjendje të keqe më paga, ngase sipas saj paga e fundit, punëtorëve u është paguar gjysma e parë muajit korrik. Por, edhe për shkak të mungesë së parave, drejtori i ngrohtores “Termokos” Arsim Janova nuk ka hezituar që të blej mazut me çmim më të shtrenjtë se sa vitin e kaluar. Janova duket se e ka të vështirë ta ndërrojë kompaninë që e furnizon me mazut.
Sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit këtë tender e ka fituar kompania “Exfis”, e cila njihet edhe si financuese e LDK-së, parti nga e cila vjen edhe vet Janova. Në tenderin e shpallur nga “Termokos” kanë konkurruar dy kompani, përderisa “Exfis” është shpallur fituese, pasi që ka ofruar një çmim më të lirë, përkatësisht 98.99 euro për premium, për ton mazuti. Mirëpo, “Exfis” në sezonin e kaluar dimëror kishte furnizuar me mazut “Termokosin”, me një çmim dukshëm më të lirë, përkatësisht 88.35 euro për premium, apo mbi 10 euro më lirë se sivjet.
Ngrohtorja “Termokos” gjatë vit të kaluar nuk kishte arritur ta fillonte sezonin ngrohës me kohë pikërisht për mungesë të mazutit. Në atë kohë drejtori i posa ardhur Arsim Janova kishte shkëputur kontratën me kompaninë furnizuese “Comact Group” para kohe, duke lidhur kontratë me kompaninë “Exfis”.
Janova me shkëputje të kontratës kishte bërë shkelej ligjore, duke i mbetur borxh kompanisë “Comapct Grupo” rreth 1 milionë euro. Për këtë çështje pronarët e kompanisë kishin paditur ngrohtoren në Gjykatë ku edhe e kanë fituar rastin, njofton I.online.
“Termokos” po ashtu vitin e kaluar ia kishte parë sherrin tenderit për ngrohje të dhënë kompanisë “Exfis”, për të cilën ishte dënuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) me 20 mijë euro. OSHP kishte konstatuar se autoriteti kontraktues ka shkelur nenin 26, pika 4.1 të Ligjit të Prokurimit Publik, me ç’rast ishte gjobitur financiarisht./standardi.info