Posta n’hipotekë?
Kompanitë në garë për PTK-në kanë ardhur në Kosovë me kërkesa shtesë rreth privatizimit të kësaj ndërmarrjeje. Ato po kërkojnë që Qeveria t’i fus në hipotekë asetet e paluajtshme të Postës për të marrë kredi në banka ndërkombëtare. Nga diskutimet mes palëve, mësohet se kjo është e vetmja mënyrë që të mos dështojë krejt procesi.
Çështja e financimit e ka vënë në dyshim edhe njëherë procesin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së. Kompanitë në garë, që aktualisht gjenden në Kosovë, kanë ardhur me kërkesa shtesë ndaj Qeverisë, e që nuk përfshihen as në pakon tenderuese. Ato po kërkojnë nga Qeveria t`i fus në hipotekë asetet e paluajtshme të Postës, të cilat mbesin pronë e Kosovës, pas privatizimit të Valës dhe Telekomit. Kjo tashmë edhe është e vetmja garanci e madhe e bankave ndërkombëtare për t’iu dhënë kredi kompanive konkurruese.
Me pakon tenderuese, Posta – përfshirë asetet e paluajtshme – është njësie e vetme e ndarë e ndërmarrjes që i mbetet në pronësi shtetit.
Sipas burimeve të Express, nga takimet mes Qeverisë dhe kompanive, kjo po del të jetë forma e vetme që ndërmarrja të privatizohet pas problemeve që kanë shfaqur kompanitë në garë rreth burimeve të financimit.
Arsyetimi i kompanive është se nuk kanë para dhe kredia në banka shihet si e vetmja mundësi. Por, institucionet financiare po kërkojnë garanci shtesë për lëshimin e kredive. “Për shkak të rrezikut të madh që përbën Kosova si vend me korrupsion dhe e ranguar keq në raportet ndërkombëtare, bankat nuk po u lëshojnë kredi kompanive në garë për PTK-në”, ka thënë ky burim.
Kjo, sipas këtij burimi, është arsyeja që kompanitë që gjinden në Kosovë po kërkojnë garanci shtesë nga Qeveria e Kosovës. “E kjo është që Qeveria t’i fusë në hipotekë asetet e Postës që me pakon tenderuese janë në pronësi të shtetit”, ka thënë ky burim. /Express/Telegrafi/