Kalo te lënda

Policia e inspektorët në aksion për të kapur dëmtuesit e pyjeve

Përderisa kohëve të fundit janë shpeshtuar rastet që kanë të bëjnë me prerjen ilegale të pyjeve në rrethinën e Lipjanit, kjo ka bërë që të mobilizohen organet e sigurisë, teksa policia bashkë me inspektorët janë vënë në ndjekje për të kapur dëmtuesit e pyjeve. Nga ana tjetër, edhe autoritetet komunale të Lipjanit thonë të kenë marrë disa veprime nga sektori komunal i pyjeve për të parandaluar këto dukuri negative.

Bajram Rizani, drejtor i Inspektoratit  komunal në Lipjan, e pranon se ka prerje të shumta të pyjeve dhe për këtë shkak ai thotë të jenë intensifikuar aksionet e inspektorëve. “Si institucione komunale kemi shpeshtuar veprimet  tona. Kemi një veprim  të përbashkët me Drejtorinë e Bujqësisë, sidomos me pylltarët, të cilët bashkë me inspektorin e bujqësisë vazhdimisht janë në kontakt. Dhe, bashkëpunimi po bëhet lidhur me inspektimin e maleve dhe prerjeve ilegale, të cilat edhe nuk janë të rralla”, ka thënë ai.

Kryeinspektori Rizani, ndërkaq vë në pah bashkëpunimin edhe me policinë, e që ky bashkëpunim sipas tij ka rezultuar me sasi të mëdha të drunjve të konfiskuar. Ai nuk ka ofruar shifër të saktë të konfiskimit të drunjve, por ka thënë se janë në masë të madhe.

“Në saje të një bashkëpunimi të madh që kemi me Policinë e Kosovës, me një aktivitet të shtuar ka rezultate edhe në parandalimin e prerjeve ilegale, kurse në anën tjetër është duke u bërë edhe konfiskimi i shumë sasive të drunjve, e që nuk janë pak”, ka shtuar ai. E Lirim Osmani zv.komandant në Stacionin policor të Lipjanit, është shprehur se ka pasur një aksion të përbashkët që është zhvilluar lidhur me këtë çështje dhe, sipas tij, janë ndaluar një numër i prerësve ilegalë, apo edhe të atillë që kanë pasur mbingarkesa me drunj.

“Gjatë aksionit dhe pas verifikimit ata të cilët kanë pasur mbingarkesa me drunj dhe ata të cilat kanë qenë pa leje janë ndaluar dhe drunjtë u janë konfiskuar. Detyrë e jona si polici është për t’i ndaluar bartësit dhe keqpërdoruesit e masës drunore, për t’i përcjellë më pas ata deri te pylltarët, e që ata më tej ta procedojnë çështjen më tutje”, ka thënë ai.

Edhe sektori komunal i pyjeve në Lipjan ndërkaq është zotuar të ndërmarrë veprime konform ligjeve në fuqi. Milazim Miftari, shef i sektorit të pyjeve në Komunën e Lipjanit, thotë se Lipjani me rrethinë ka rreth 14 mijë hektarë pyje dhe, sipas tij, qysh me fillimin e uljes së temperaturave është rritur edhe numri i prerësve ilegalë të pyjeve dhe keqpërdoruesve.

“Për të parandaluar një dukuri të tillë ne si institucione komunale jemi detyruar të marrim disa veprime konform ligjit ndaj këtyre personave të papërgjegjshëm”, ka thënë ai.

Lini një koment