Kalo te lënda

Mustafa: Nuk u regjistruan të gjithë banorët e Kosovës

Pak ditë pas publikimi të rezultateve të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, kryetari i Prishtinës, njëherësh kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se gjatë këtij procesi janë bërë lëshime të mëdha.

Sipas këtyre rezultateve del se numri i banorëve që jetojnë në territorin e Kosovës, duke përjashtuar komunën e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanin dhe pjesën veriore të Mitrovicës është  1.739.825 banorë.

Ndërkaq Prishtina ka dalë të ketë numrin e banorëve prej 198 mijë sosh, duke mohuar çdo pretendim se kryeqyteti ka rreth 500 mijë banorë

Mustafa deklaroi se LDK shumë shpejtë do të del edhe me një qëndrim zyrtar rreth procesit të regjistrimit në Kosovë.

Mirëpo, ai ka shfaqur vërejtje rreth këtij procesi që sipas tij, nuk ka shkuar në rregull në tërë Kosovën, jo vetëm në Prishtinë.

“Si është e mundur që në Prishtinë të jetë përafrisht i njëjtë numri i votuesve me numrin e përgjithshëm të banorëve. Kompania e Ujësjellësit në Prishtinë ofron ujë përreth 500 mijë banorë, ndërkaq Kompania Rajonale “Pastrimi” kryen shërbime përreth 400 mijë banorë. Po ashtu numri i nxënësve dhe i studentëve na del të jetë i përafërt me numrin e përgjithshme të banorëve”.

Ai ka thënë se gjatë këtij procesi janë bërë lëshime të mëdha duke mos u regjistruar të gjithë banorët rezidentë.

“Kjo na kushton me investimet në vend. Ne kemi bërë plane për ndërtimin e një fabrike të ujit për 400 mijë banorë në Prishtinë, ndërkaq Komisioni Evropian bënë investimit vetëm në bazë të numrit zyrtar të popullsisë”, ka pohuar ai.

Lini një koment