Kalo te lënda

Vulin: Do t’i respektojmë marrëveshjet me Prishtinën

Shefi i i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se do të respektohen marrëveshjet që qeveria e mëparshme serbe i ka arritur me Prishtinën. Sipas tij, ish-qeveria e Serbisë nuk kishte asnjë qëllim për të përmbushur këto marrëveshje, por “të mashtronte sërish serbët e botën që të qëndronte në pushtet”. “Serbia është një vend serioz. Ashtu siç duhet t’i kthejmë dy miliardë, që na i ka lënë borxh qeveria e kaluar në vitet e fundit, ashtu duhet të respektojmë edhe ato që kishin nënshkruar me Prishtinën, ata që nuk është dashtë të kenë të drejtë të nënshkruajnë gjithçka”, ka thënë Vulin për “Novosti”.

Duke komentuar pretendimet e ish-shefit të ekipit negociator serb për bisedime me Prishtinën, Borislav Stefanovi, se qeveria serbe nuk është e detyruar që të zbatojë marrëveshjet me Kosovën, sepse nuk janë traktate ndërkombëtare, Vulin pyet: “E pse kanë nënshkruar dhe pse kanë biseduar. Nëse asgjë nuk është në Bruksel, atëherë asgjë nuk ka kuptim”?

“Tash edhe bashkësia ndërkombëtare mund të bindet se si kanë biseduar dhe si kanë sunduar ata. Për fat të keq, i kanë gënjyer serbët e botën, dhe kështu kanë luajtur me jetët e njerëzve në Kosovë dhe reputacionin e vendit tonë”.

Lini një koment