Kalo te lënda

Serbia në New York me planin për dialog

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, do të prezantojë të martën në New York pjesë të planit të shtetit që e drejton për dialogun me Kosovën. Liderët kryesorë të Kosovës ka disa ditë që po qëndrojnë në New York, por ende nuk kanë bërë të ditur nëse kanë ndonjë plan të detajuar për bisedimet e pritshme me Serbinë.

Delegacioni i Serbisë, i udhëhequr nga Nikoliq, pjesë e të cilit janë ministri i Punëve të Jashtme, Ivan Mërkiq, dhe Marko Gjuriq, këshilltar i kryetarit Nikoliq, ka udhëtuar të dielën për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në New York, të martën, do të fillojë debati kryesor i Asamblesë së 67-të të Kuvendit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, të cilin do ta kryesojë ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq, dhe në të cilin që në ditën e parë do të flasë Nikoliqi, shkruan koha.

Shef i ekipit negociator në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Dejan Paviçeviq, i ka thënë të dielën gazetës “Novosti” që pret se pas bisedimeve Nikoliq – Ashton “situata do të  jetë më e qartë” dhe se shumë çështje do të konkretizohen, siç është ajo se a do të vazhdohet dialogu në nivel më të lartë dhe a do të ekzistojnë dy binarë – politik dhe teknik apo e gjitha do të jetë si më parë. “Ne në New York do të paraqesim pjesë të planit tonë dhe si mendojmë se duhet të vazhdohet dialogu. Planin e vet do ta paraqesë edhe Bashkimi Evropian, me siguri edhe pala kosovare. Para kryetarit Nikoliq ndodhet një punë e rëndë”, ka vlerësuar Paviçeviqi, duke vënë në pah se është shumë me rëndësi që në vazhdimin e bisedimeve të diskutohen temat politike dhe të zgjidhen çështjet të cilat kanë të bëjnë me njerëzit, siç e ka quajtur ai, në Kosovë e Metohi.

Ndërsa nënkryetarja e Qeverisë për Integrime Evropiane, Suzana Grubjeshiq, ka thënë se dialogu në nivelin më të lartë duhet të çojë deri te marrëveshja historike ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Ajo, në një bisedë në Radio Beograd, ka theksuar se atë dialog do ta udhëheqë kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq. “Qeveria e re ka marrë obligim që t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun teknik me Prishtinën, mirëpo edhe që do të hapë dialogun politik në nivelin më të lartë dhe se atë dialog do ta udhëheqë kryetari i shtetit”, ka thënë Suzana Grubjeshiq.

Sipas saj, “kjo është diçka që do të çojë deri te marrëveshja historike e serbëve dhe shqiptarëve.

Deklaratat e zyrtarëve serbë lënë të kuptohet se Serbia ka filluar përgatitjet serioze për dialogun e paralajmëruar me Kosovën. Ajo tashmë ka emëruar edhe shefin e ekipit negociator.

Ndërkohë nuk dihet si do të veprojë delegacioni i Kosovës në New York.

Analistët në Kosovë kanë vlerësuar se Prishtina duhet ta bëjë të qartë kudo që nuk duhet të ketë dialog me Serbinë pa zbatimin e marrëveshjeve të dialogut teknik.

Për mundësinë e shtrëngimit të duarve ndërmjet Nikoliqit dhe Jahjagës, për ç’gjë tashmë disa muaj po flitet, ish-sekretari shtetëror për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq,  ka thënë se kjo gjë vetvetiu “nuk do të thotë asgjë”, mirëpo nëse do të supozohej si shenjë që ata të dy e përkrahin dialogun në nivel të lartë, atëherë brenda 15 ditësh BE-ja do të mund të caktonte vazhdimin e bisedimeve.

“Është me rëndësi që takimi eventual me Jahjagën të jetë joformal”, ka thënë Ivanoviqi

Lini një koment