Privatizimet vlejnë vetëm pas miratimit nga Autoriteti i Konkurrencës
Qeveria e Kosovës nuk do të mund ta finalizojë privatizimin e Distribucionit pa marrë një leje nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. Edhe sa i përket privatizimit të PTK-së, apo privatizimit të disa ndërmarrjeve shoqërore është i nevojshëm miratimi i këtij autoriteti. Ky Autoritet me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës duhet të lëshojë një leje të përqendrimit në rast se përqendrimi i dy kompanive kanë qarkullim mbi 3 milionë euro në tregun e brendshëm, apo mbi 100 milionë euro në tregun e jashtëm.
Po ashtu kjo leje është e domosdoshme në rastet kur kompanitë që bashkohen kanë veprimtarinë e njëjtë. E veprimtaria, apo përvoja në menaxhimin e distribucionit respektivisht telefonisë mobile e fikse ka qenë kusht për t’u parakualifikuar për të marrë pjesë në tenderin për privatizim të këtyre ndërmarrjeve.
Ahmet Krasniqi, ushtrues detyre i kryetarit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, ka thënë të mos ketë pranuar asnjë kërkesë nga institucionet për vlerësim të përqendrimit me rastin e privatizimit të Distribucionit. Por, ai ka thënë se privatizimi i Distribucionit fuqizohet vetëm pas lëshimit të lejes së përqendrimit nga AKK-ja.
Ai ka thënë se për të qenë një privatizim i plotfuqishëm duhet të marrë lejen e përqendrimit nga ana e Autoritetit të Konkurrencës.
“Rregull është që një privatizim i tillë (privatizimi i PTK-së dhe i Distribucionit) edhe nëse nënshkruhet nga kryetari nuk do të duhet të ishte i vlefshëm nëse nuk e merr lejen nga AKK-ja për përqendrim. Jemi konsultuar edhe me Autoritetet e Maqedonisë e Shqipërisë dhe kështu është praktikë se për një privatizim të tillë ku përqendrohen dy kompani atëherë është i nevojshëm leja e përqendrimit, në të kundërtën transaksioni është i pavlefshëm”, ka thënë Krasniqi.
Por, ekspertët juridikë dyshojnë se Autoriteti i Konkurrencës ka kapacitete financiare e njerëzore për të miratuar të gjitha kërkesat për përqendrim (gjerësisht në “Kohën Ditore”).