Kushti ‘kryesor’ për Serbinë, menaxhimi i kufijve me Kosovën
Edhe qeveria edhe qytetarët e Serbisë duhet të jenë realist kur bëhet fjalë për integrimet evropiane. Kështu ka thënë i dërguari special i BE-së dhe ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak.
I pyetur për datën e fillimit të negociatave me BE-në, Lajçak ka thënë se lista e kushteve për të marrë statusin e kandidatit, ku Serbia u ngarkua në shkurt ta përmbushë, është mirë e njohur. “Të gjitha marrëveshjet me Prishtinën duhet të implementohen deri në fund”, ka thënë ai.
“Përsëri po them se datat nuk janë të rëndësishme. Ajo që është thelbësore ka të bëjë me progresin, reformat, në mënyrë që të ketë rezultate te prekshme drejt integrimeve evropiane”, ka thënë Lajçak.
I pyetur se cili do të jetë vendimi i Këshillit të Evropës në dhjetor për përparimin e Serbisë dhe se a e meriton Serbia datën, shefi i diplomacisë sllovake ka thënë se pikë se pari Serbia duhet t’i përmbushë marrëveshjet e arritura me Kosovën në Bruksel. “Para se gjithash ka të bëjë me marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve”, ka thënë ai për “Novosti”.